Ganiu prezenton projektin e rradhës: Garazhet në kate (FOTO LAJM)

Kandidati për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu, i shoqëruar nga bartësit e listës për këshillin e Çairit, Dr. Fikri Abdullai, Dr. Lulzime Hoxha, Mr. Zahir Bekteshi dhe bartësi i listës për këshillin e Qytetit të Shkupit, Besnik Ajeti, ka bërë prezantimin e radhës të Kontratës 2017-2021 për zhvillimin e Çairit gjatë katër viteve të ardhshme.

Takimi me banorët e zonës është zhvilluar në lagjen Kulla e Sahatit, në vendin ku edhe planifikohet të ndërtohet një prej katër garazheve në kate. Strategjia për zhvillimin e Çairit e hartuar prej tij, parashikon ndërtimin e garazhit në Sahat Kullë me një kapacitet për parkimin e 132 automjeteve.


“Jam i bindur se do të arrijmë që për një kohë të shkurtër të zgjidhim problemet me të cilat hasemi çdo ditë, unë, ju dhe të gjithë që jetojmë në këtë zonë, por edhe ata që vijnë t’na vizitojnë, qoftë monumentet e bukura historike, si ky që kemi këtu pranë, por edhe Çarshinë, Teatrin, e të tjera, por edhe ata që thjesht vijnë për të bërë pazarin, apo treguat produktet e tyre.

Se në fakt kjo zonë është pikërisht ajo që pa frikë mund ta quaj zemra e një qyteti, që pulson fuqishëm në çdo orë të ditës. Që është pika e orientimit dhe pikëtakimi për çdo shqiptar që vjen nga qytetet e tjera, apo edhe nga Shqipëria e Kosova. Kur flas për projekte, strategji, kontratë, nuk flas vetëm për letra, për premtime që ndoshta mund t’ju duken si të tilla kur jemi në prag të zgjedhjeve.

Çairin e shoh si shtëpinë time,më saktë si shtëpinë tonë të madhe, për të cilën të gjithë duhet të kujdesemi dhe të zgjedhim më të mirën. Unë jam munduar që të zgjedh pikërisht projekte me të cilat jeta juaj do të bëhet praktike, komunikacioni i lehtësuar, trotuaret të çliruar nga makina, dhe mbi të gjitha jeta e fëmijëve e sigurt”, ka thënë Ganiu. Në fjalën e tij ai i ka ftuar banorët të nënshkruajnë Kontratën e të ardhmes.

Shtuar më 04/10/2017, ora 15:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori