Sa herë hyri dhe doli Alma në zyrën e Gjicit, SPAK bastis bashkinë e Kukësit

SPAK zbarkoi këtë të hënë në ambientet e Bashkisë së Kukësit ku sekuestroi serverin e kamerave të sigurisë por edhe dokumente të ndryshme, në kuadër të hetimit që po kryhet për shpërdorim detyre ndaj ish-kryebashkakut Safet Gjici, i cili u përfshi në skandal, pas publikimit të një video ku ai shfaqet duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua tashmë të identifikuar.

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit qëndruan për afro 30 minuta në Bashki dhe pasi morën kontakt me punonjësin e IT-së, bënë sekuestrimin e serverit.

Ndërkaq, janë marrë edhe disa dosje për të verifikuar nëse gruaja ka paraqitur ndonjë projekt pranë bashkisë dhe nëse është miratuar ose jo.

Nga ana tjetër, SPAK e ka identifikuar gruan, e cila banon bashkë me fëmijën ne moshë të mitur në Durrës, dhe ka urdhëruar që ajo nuk duhet të lërë vendin, pra nuk do të lejohet të udhëtojë, për sa kohë që rrëfimi i saj është kyç për hetimin.

SPAK po heton për shpërdorim detyre, por sekuestrimi i videos së plotë, e cila mendohet të jetë rreth 12 minuta, mund të nxjerrë në dritë nëse ka vetëm marrëdhënie personale siç pretendojnë palët, apo edhe favorizim.


Shtuar 19.06.2023 16:15