Japrakë me mish të grirë? Kjo recetë do bëhet kryefjala e fundjavës suaj

Sot zonja Florenca Reçi do t’ju japë recetën e japrakeve me mish te grire.

Japrak me mish të grirë:

-gjethe rrushi
-300 gr mish i grirë
-2 qepë të njoma
-1 hudhër e njomë
-1 tufë majdanoz
-1 tufë nenexhik
-1 tufë kopër
-1 tufë labod
-150 gr oriz
-kripë, rigon, piper
-vaj ulliri

Përgatitja:

Pasi kemi gatuar mishin e grirë, është skuqur në tigan, i bashkojmë orizin për të skuqur bashkë. Pasi janë skuqur disa minuta is htojmë qepën e njomë dhe hudhrën e njomë (bishtat). Në një tas tjetër shtojmë të gjithë jëshilliqet, koprën, nenexikun, majdanozin, nenen, pazinë, lëpjetën, labodin dhe në fund rigonin. Pasi i kemi përzier me dorë i shtojmë edhe vajin e ullirit dhe i përziejm sërish.

Kësaj përzierje i shtojmë edhe përgatitjen që kemi në tigan me mish të grirë, orizin dhe qepët e hudhrat e njoma. Pasi kemi përzier gjithë përbërësit nismin nga mbështjellja.

Shtrojmë gjethen e rrushit, në mes vendosim një lugë nga përgatitja dhe më pas e mbështjellim. Vazhdohet kështu deri në përgatitjen e të gjithë masës. Nëse gjethet i keni të vogla, zonja Florenca ju këshillon të bashkoni dy bashkë dhe të vazhdoni njësoj.

Para se t’i vendosni në tenxhere shtrojeni atë me 3-4 gjethe rrushi që mos të kenë kontakt menjëherë japraku me tenxheren.

Mund të vendosni 2-3 shtresa sa te mbushet tenxherja dhe sigurohuni që mes çdo shtrese të ketë një resht me gjethe rrushi.

I hidhni ujë tenxheres sa të mbulohen japrakët, pak vaj ulliri dhe janë gati për tu zier.

Ju bëftë mirë!/albeu.com/