Fluks vizitash para referendumit në Shkup, ndërkombëtarët bojkotojnë Ivanovin
Në kuadër të fushatës së referendumit të 30-shtatorit, kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi do të vazhdojë të jetë qendër e vizitave diplomatike botërore, në të cilat jepet mesazhi: “Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën për votim dhe të dalin në referendum, pasi që suksesi lehtëson anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE”. Kjo siguron stabilitet ekonomik, rritje e sigurisë, krijimin e shtetit të së drejtës, dhe ardhmëri më e mirë për të rinjtë, shkruan Portalb.mk.

Më 15 shtator, sot do të vijë sekretari i SHBA-së për Mbrojtje, Xhejms Matis. Sekretari i SHBA-së për Mbrojtje, Xhejms Matis, ka paralajmëruar se do ta vizitojë Maqedoninë që të shpreh mbështetje të qartë për referendumin për çështjen e emrit, por edhe shqetësim për shkak të përzierjes së mundshme të Moskës në këtë proces.

“Do të shkoj t’i vizitojë miqtë tanë të Maqedonisë dhe qartë do t’u them se SHBA e përkrah popullin e Maqedonisë”, tha Matis në deklaratë për gazetarët në Pentagon.

Në pyetje gazetareske, nëse është i shqetësuar për përzierjen e Rusisë në referendumin e Maqedonisë, sekretari Matis tha: “Jam i shqetësuar për atë. Mendoj se nuk duhet që të ketë përzierje në demokraci. Nëse shprehet qëndrimi në letër është një gjë tjetër, por nëse bëhen vështirësi si Rusia ka praktikuar në Ukrainë dhe në SHBA, dhe tani në Maqedoni pasi që Rusia gjithmonë u përshtatet situatave specifike, ndërkaq në lidhje me mua, unë do të isha i kujdesshëm”.

Më 17 dhe 18 shtator, eurokomesari Johanes Han do të qëndrojë në Shkup. Vizita e Hanit në Maqedoni vjen në kuadër të ngjarjeve “Ditët e mediave të Ballkanit Perëndimor”. Paraprakisht ai ka deklaruar se kalimi i referendumit do ta lehtësojë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, e cila do krijojë mundësi të reja për punësim.

“Ideja është që të krijojë diçka më shumë, nëse ka perspektivë evropiane, kjo do të tërheqë kompani ndërkombëtare, kompani të cilat do të krijojnë vende pune, nëse ka më shumë industri në vend kjo ndikon në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme sepse ata kanë funksion të furnizuesit, gjithçka bashkë është stimuluar për ekonominë. Nëse ekonomia është e orientuar ndërkombëtarisht kjo ndikon mbi cilësinë e sundimti të së drejtës, pavarësisë së gjyqësisë dhe për fund mendoj se është diçka që e kërkojnë njerëzit”, thotë Han.

Më 17 shtator, e hënë do të vijë Ministrja e Mbrojtjes së Italisë, Elizabeta Trenta

Gjatë kohës së vizitës, do të ketë takim tet-a-tet me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, pas së cilës do të ketë edhe konferencë për media.

Më 18 shtator, e martë do të vijë shefi i diplomacisë së Gjermanisë, Hajko Mas

Më 18 shtator, të martën në Shkup që të japë përkrahje për referendumin do të vijë edhe shefi i diplomacisë së Gjermanisë, Hajko Mas. Ai do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Më 21 shtator, në Shkup do të vijnë dy përfaqësues të Senatit të Francës.

Ivanovi anashkalohet nga ndërkombëtarët

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, është një nga kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes me Greqinë, së bashku me VMRO DPMNE-në e opozitës, e cila gjithashtu këtë marrëveshje, ngjashëm si kreu i shtetit e vlerëson si “kapitulluese” për vendin. Ky qëndrim i ngurtë i presidentit, ka bërë që ai të anashkalohet nga shumë personalitete të larta ndërkombëtare që së fundi kanë vizituar Maqedoninë, në mbështetje të marrëveshjes me Greqinë dhe suksesin e referendumit më 30 shtator, që është vendimtar për zgjidhjen e kontestit të emrit mes dy shteteve dhe zhbllokimin e procesit euro-integrues.

Paraprakisht, në Shkup për vizitë dhe mbështetje të referendumit kanë dhënë zëvendës ndihmësin e sekretarit shtetëror për çështje evropiane dhe euroaziatike, Ves Miçel, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, kancelarja gjermane, Angela Merkel, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kancelari austriak, Sebastian Kurc.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.
Shtuar më 15/09/2018, ora 10:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori