Filluan kalkulimet politike në Kumanovë
kryetari i Kumanovës paralajmëroi ndërtimin e parkut në afërsi të stadiumit të qytetit, dhe ende pa filluar të ndërtohet, BDI dhe LSDM filluan zënkat për të.


Kjo pasi në këtë park u paralajmërua se do të vendoset edhe pllaka përkujtimore të policëve të rënë në Lagjen e Trimave. Por kryetari Damjanovski thotë se tema e pllakës përkujtimores për policët e rënë u hap nga mediat, e jo nga ai.

Ai konfirmoi se në këtë park do të ketë hapësirë edhe për pllaka përkujtimore, por për vendosjen e tyre do të vendosë Këshilli i Qytetit, kurse do të votohet me “Badenter”, por vetëm nëse deri në komunë arrin kërkesë nga qytetarët për vendosjen e ndonjë pllake të tillë.

“Mundësi për vendosjen e pllakave përkujtimore, nëse eventualisht ka kërkesa nga shoqata të qytetarëve drejtuar deri tek Këshilli, ne e shikojmë pamjen e të njëjtës dhe vendoset me lejen nga Këshilli në bazë të programit. Të gjitha vendimet për vënien e shenjave përkujtimore pavarësisht përkatësisë etnike, kalojnë përmes vendimit të Këshillit të Komunës ku votohet sipas principit të Badenterit“, u shpreh Zoran Damjanovski, Kryetar i Kumanovës.

Këshilltari i BDI-së, Feriz Dervishi ia bën me dije kryetarit, se një propozim i tillë nuk do të votohet nga këshilltarët shqiptarë. Madje ai paralajmëron se nëse vendoset pllakë përkujtimore për “Branitellat”, ata do të përgjigjen me pllakë përkujtimore për dëshmorët e UÇK-së.

“Nëse kryetari i Kumanovës merr iniciativë për vënien e pllakës përkujtimore për “ Branitellat “ atje ku mendon, ne këshilltarët e BDI do të marrim iniciativën për vënien e pllakës përkujtimore për dëshmorët e UÇK të vitit 2001 , tek parku i qytetit në afërsi të Stadiumit të qytetit“, tha Feriz Dervishi, Këshilltar i BDI-së.

Dervishi thotë se këshilltarët shqiptarë janë më shumë të revoltuar se përse nuk janë konsultuar aspak për këtë projekt. Ai thotë se ka kohë që një tjetër park që gjenden në pjesën, kushtimisht thënë shqiptare, nuk po përfundohet për pak para, e Damjanovski po “hedh” para në park tjetër.

Ky i fundit, para 1 vjet e gjysmë tha se komuna ka projekt për këtë park, por realizimi i tij po vështirësohet nga pushteti, pasi që atë kohë, Kumanova ishte komunë që udhëhiqej nga opozita. Damjanovski akuzon se dikush po dëshiron që t’i prishë marrëdhëniet ndëretnike në qytet në prag të zgjedhjeve lokale, me qëllim që ai ta humbë përkrahjen që e ka nga të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në Kumanovë. /albeu.com/

Shtuar më 15/08/2017, ora 19:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori