Festat shqiptare që do shënohen në Maqedoni
Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni ka theksuar se është e kënaqur me vendimin e Parlamentit për të përfshirë disa nga ngjarjet historike dhe jubiletë të historisë shqiptare, në kuadër të programit shtetëror për 2012 për shënimin e ngjarjeve historike.

“Për herë të parë në historinë e Republikës së Maqedonisë, kuvendi republikan u dha peshën dhe rëndësinë e duhur institucionale tetë datave të rëndësishme për shqiptarët. Shtatë nga këto data janë propozime të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, kurse njëra është propozim-projekt i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë. Ky institut, për herë të parë institucionalisht do ta shënojë festimin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar”, thekson SHHSHM.

Ajo i ka quajtur dezinformata, informacionet e plasuara se gjoja vetëm 5 mijë euro janë ndarë për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit.

“Lidhur me dezinformatat që dolën rreth shumës së mjeteve me të cilat do të shënohen këto manifestime, sqarojmë opinionin se në këtë fazë të parë, Kuvendi republikan vetëm se u ka dhënë peshën institucionale këtyre datave, kurse në fazën e dytë, bartësit e projekteve do të konkurrojnë nëpër institucionet shtetërore pas çka do të përcaktohen shumat konkrete të përkrahjes së tyre financiare”, thekson kryetari i kësaj shoqate, Skender Hasani, raporton Ina.

Ngjarjet dhe personalitet e rëndësishme historike shqiptare që do të përkujtohen sivjet nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, janë:

• 100 vjetori i emërimit të Mehmet Pashë Derallës, si ministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë e Shqipërisë, të drejtuar nga flamurtari i Vlorës Ismail Qemali,

• 100 vjetori i formimit të orkestrës muzikore "Zani i Maleve” në Shkup, nga i ati i Nënë Terezës (Kolë Bojaxhiu), enkas me rastin e çlirimit të Shkupit nga ana e kryengritësve shqiptarë më 12 gusht 1912,

• 100 vjetori i shkollës së parë private shqiptare në Tearcë të Tetovës, si një nga dritat e para të iluminizmit shqiptarë në rajonin e Sharrit,

• 100 vjetori i marrëveshjes shqiptaro-osmane të Shkupit, më 18 gusht 1912, kur u pranuan 12 nga 14 kërkesat kombëtare të patriotit Hasan Prishtina,

• 100 vjetori i formimit të komitetit “Shpëtimi” në Shkup, i cili ka organizuar kuvendin e 14 tetorit 1912, ku është marrë vendimi për të kaluar shqiptarët nga kërkesa për autonomi në atë për pavarësi kombëtare,

• 50 vjetori i botimit të revistës për shkencë, kulturë dhe art “Jehona” në Shkup, si një nga organet më të rëndësishme të shtypit shqiptar në Maqedoni e më gjerë,

• 20 vjetori i themelimit të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, si bartëse e shumë nismave dhe aktiviteteve me rëndësi të veçantë kombëtare.

Sipas SHHSHM, një arritje madhore për shqiptarësinë e Shkupit përbën edhe vendimi i Qytetit të Shkupit për emërimin e 45 rrugëve, shesheve e bulevardeve me emra shqip. Tani shqiptarët e Shkupit me krenari do të mbajnë nëpër shtëpitë dhe dokumentet e tyre adresat me emrat e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Azem Maranës,Dervish Himës, Jusuf Gërvallës, Ilirisë, Arbërisë, Tiranës, Shkodrës, dhe emra të tjerë që u përkasin trungut të tyre kombëtar.

Këto emërime ishin propozime të Institutit të Trashigimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, me përkrahje të këshilltarëve shqiptarë të Kuvendit të Shkupit dhe lidershipit të komunës së Çairit.
Shtuar më 28/03/2012, ora 10:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori