Familja kërkon burg të përjetshëm për vrasësin e Almirit
Asmir Alispahiq, avokati mbrojtës i familjes Aliu nga Kumanova, e cila humbi fëmijën e tyre katër vjeçar Almirin, në një intervistë, thotë se do të kërkojnë dënimin maksimal për Almirin.

“Ne si familje, dhe unë si avokat i familjes Aliu, do të kërkojmë dhe do të insistojmë që të jepet dënimi më i ashpër, respektivisht burgu i përjetshëm.

Në këtë rast ku ka edhe prova materiale – video incizim, ka fakte se ai vërtetë me paramendim, dhe pa frikë, pa mos iu trembur syri e ka kryer vrasjen, insistojmë për një denim maksimal”, tha Asmir Alispahiq.

Sipas avokatit bëhet fjalë për një rast shumë të komplikuar, dhe kërkon që për vrasësin e Almirit të jepet dënimi më i rëndë.

Alispahiq tha se po punohet intensivisht që procedura hetimore të fillojë sa më shpejtë dhe e njejta të përfundojë si e parashikon ligji.

Tragjedia e ndodhur në Kumanovë erdhi si pasojë e një zënke mes prindit të viktimës dhe shtetasit Boban Iliq, ku ky i fundit shtypi për vdekje me makinë në shpejtësi të madhe katër vjeçarin nga Kumanova.

Si pasojë vogëlushi tanimë i ndjerë, u shtrua në irgjencën e Shkupit për gati një javë radhazi, në gjendje shumë të rëndë. Edhe pse u bënë ndërhyrje të shumta mjekësore, Almiri nuk arriti të mbijetojë. /albeu.com/

Shtuar më 20/07/2016, ora 17:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori