Të “braktisur” nga fati, 4 anëtarët e familjes në Vorë të gjunjëzuar nga sëmundja enigmë, lëvizin me karrocë me rrota

Katër pjesëtarët e një familjeje nga Vora janë të detyruar të “pajtohen” me fatin e tyre. Ata nuk mund të ecin dhe lëvizin me karrocë me rrota.

Arta, 40 vjeç, njëra prej pjesëtareve të familjes prej 30 vitesh nuk arrin të ecë për shkak të një sëmundjeje të paidentifikuar. Kjo dramë nuk është vetëm e Artës, por edhe e tre anëtarëve të tjerë të familjes, të cilët kanë të njëjtin problem.  Madje ajo ka tentuar t’i japë fund jetës duke future dorën në prizë.

“Njeriu kur ka siklet thotë me vete pse e dua jetën? Për çfarë më hyn në punë jeta?” thotë Arta mes lotësh.

Arta është ngritur në këmbë kur ishte 17 muajsh dhe tregon se deri në klasën e tretë ka ecur normalisht si gjithë fëmijët e tjerë.

Kalvari i vuajtjeve i filloi në moshën 10-vjeçare kur krejt befas një sëmundje serioze ende e paidentifikuar e gjunjëzoi.

Të paktën ajo i shijoi disa çaste fëmijërie, ndërsa motra e saj Suzana dhe vëllai i saj Genti veçse mund t’i marrin me mend.

“Dëshira ime më e madhe është të ngrihem në këmbë. Nuk dua asgjë në botë”, thotë Genti.

E ëma tregon në emisionin “Piranjat” në Abc se vajza tjetër Suzana ka ecur këmba dorazi.

“Dal ndonjëherë, marr ajër të pastër. Shoh kalamajtë”, tregon Suzana.

Edhe babai i fëmijëve është i sëmurë. Në ndihmë të familjarëve është edhe nusja e shtëpisë. Askush nuk ja ka treguar nënës se cila është sëmundja që ka gjunjëzuar familjen. Pamundësia financiare për të përballur edhe një financim të thjeshtë i ka shndërruar në të harruar dhe të braktisur nga fati./abcnews.al/


Shtuar 31.05.2022 22:16