I arrestuar për vrasjen e 19-vjeçarit grek, i riu shqiptar tregon të tjerët: Donim ta frikësonim

23-vjeçari shqiptar i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit grek Aliks javën e kaluar në Selanik, sot ka dalë para prokurorit dhe i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. I riu shqiptar pranoi se ishte në vendin e ngjarjes kur ndodhi krimi, por mohoi që të ishte pjesë e grupit që sulmoi 19-vjeçarin i cili u godit me thika dhe mjete të mprehta me pasojë vdekjen.

Sipas avokatit, 23-vjeçari ka bashkëpunuar me drejtësinë duke u treguar hetuesve emrat e personave të përfshirë, duke thënë se janë 10 të tillë. në dëshinë e tij ka shtuar se “ata nuk donin të vrisnin, por vetëm ta frikësonin”, ndërsa shpreh pendesë për ngjarjen tragjike.

Deri më tani në lidhje me vrasjen janë arrestuar 9 persona. Asnjë prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë ndërsa përgjegjës kanë nisur të bëjnë njëri–tjetrin. Sipas medieve greke një tjetër shqiptar 20-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia greke si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e të riut. Po sipas medieve të huaja, 20-vjeçari është arratisur drejt Shqipërisë.


Shtuar 7.02.2022 19:00