Epoka e çuditshme e Netizenit
Sumejja Pajaziti
Sumejja Pajaziti
“Jetofsh në një epokë të çuditshme!” Kështu mallkonin njerëzit të tjerët në Kinën e Lashtë. Në shikim të parë me të vërtetë kjo mënyrë shprehjeje duket si një gjë e koklavitur, e pakuptimtë. Pyetja e parë që lind tek ne është se me ç’qëllim njeriu do të mallkonte dikë në këtë mënyrë? Sot të gjithë jemi ballë për ballë me një epokë të çuditshme e marramendëse. Nuk kemi nevojë të bëjmë analiza komplekse në lidhje me të, thjesht shihni rreth e rrotull, hidhni një sy botës nga perspektiva të ndryshme dhe arrini në mënyrë spontane në përfundimin se të gjithë e ndajmë fatin e njëjtë dhe jemi bashkëudhëtarë në këtë rrugë të lëkundjeve dhe nebulozave, në këtë kohë të krizës së madhe.

Shoqëria është një qenie dinamike, ndryshon sa hap e mbyll sytë, dhe njeriu me një intelegjencë e hollësi të spikatur, asnjëherë nuk pranon t’i adaptohet ambientit, për më tepër gjithmonë ka prirje për ta ndryshuar atë. Përkundër të gjitha zhvillimeve që sjell kjo karakteristikë e njeriut, duket sikur nuk arrin t’i rezistojë presionit që ushtrohet. Kemi arritur të mbisundojmë gjithçka përreth (apo thjesht mendojmë një gjë të këtillë), mirëpo kemi neglizhuar tejmase botën e brendshme dhe rezultati: një zbrazëti e theksuar të cilën mundohemi ta përmbushim me çdo kusht dhe me gjëra imcake të pakuptimta.

Secili njeri është unik në botëkuptimin e tij, në qëndrimet, mendimet, arsyetimet e tij, njeriu është një origjinalitet në faqe të dheut. Përveç krenarisë që ia shton njeriut, kjo dukuri edhe e frikëson paksa këtë qenie “të civilizuar”, të zhytur në vetmie në dilema. Përderisa njeriu është kaq i diferencuarnga tufa, si arrin të integrohet përsëri me të? Si arrin të largojë identitetin e tij të pavarur për ta ndërruar me një më të arsyeshëm, atë të ndërvarurin? Kjo mund të qartësohet vetëm me natyrën njerëzore, se njeriu është mbi të gjitha qenie sociale dhe komunikuese. Po qe se njeriu izolohet për një kohë të gjatë nga masat e gjëra, doemos rezulton një çmenduri absurde, thotë i mirënjohuri Fromm. Njeriu ka nevojë për të ndërvepruar me të tjerët, për të komunikuar me qëllim që të arrijë vetëdijësimin për vetveten dhe tjetrin. Umberto Eco në një nga shkrimet e tij shprehet: “Shikimi i tjetrit më definon mua, ashtu siç i definoj unë të tjerët me shikimin tim.”

Të gjithë dëshirojmë të shprehim vetveten aq sa mundemi, e me këtë në kthim presim konfirmimin e tjetrit, qoftë kjo me subkoshiencë apo anasjelltas. Po qe se i njeriut i merret kjo mundësi nga duart, ai mbetet i paralizuar, pa vullnet për punë, pa dëshirë për jetë, zhytet në batakun e nihilizmit absolut. Prapëseprapë njeriu sot si asnjëherë më parë me plot ëndje e ndjen kënaqësinë e të qenurit gjithmonë në qendër të vëmendjes; këtë e arrin shumë lehtë me anë të rrjeteve sociale të cilat duket sikur njeriut ia përkëdhelin sedrën duke e shndërruar në qenie të varur dhe egoiste. Sot ajo që më së shumti e kërcënon jetën e njeriut është fakti se i cenohet privatësia, intimiteti, diskrecioni, një nevojë kjo e rëndësishme për ekzistencë të dinjitetshme.

Gjenerata e sodit më e ka humbur konceptin e privatësisë. Sociologët dhe psikologët duket se do kenë mjaft punë ne vitet e ardhshme për studim dhe kategorizim të evulucionit që po ndodh në jetën shoqërore. Janë zbehur më ditët kur njerëzit ishin 100% arkitektët e marrëdhënieve shoqërore; nuk rastis sot njeri me të cilin mund t’i ndërrosh dy fjalë e që nuk i hedh një sy celularit, duke gërmuar edhe më tej rrjetet sociale! Si rrjedhim, lind pyetja se përse të gjithë, pa asnjë përjashtim jemi të infektuar nga kjo dukuri e varësisë nga rrjeti magjik? ǒështë vallë kjo marrëzi që po i përfshin edhe njerëzit në çdo cep të botës? Si e konsumon sot njeriu gjënë më të vlefshme që e posedon, kohën e tij?

Secila epokë karakterizohet me ndonjë fenomen shoqëror që sfidon vlerat kyçe njerëzore. Sot përballemi me të ashtuquajturën 'rrjeti i rrjeteve'. Njerëzit kanë krijuar varësi të rrezikshme, gjë e cila mund të vërtetohet me atë se si mundet të ndërrojë gjendja shpirtërore e njeriut në mënyrë instante po qe se i kufizohet qoftë edhe për një kohë të shkurtër interneti. Nuk është diçka për t’u habitur fakti se ka njerëz që me orë të tëra qëndrojnë pranë kompjuterit, i shkëputin lidhjet me realitetin, nuk e dinë se ç’ndodh në botën përreth, apo është duke kaluar kohë me shoqërinë dhe mobifoni nuk i bie nga dora asnjë çast. Aktualisht, ka kaluar bukur shumë kohë që kur kemi filluar këtë gjendje ta shohim si normale. Rinia është pjesa më delikate e popullit që me pak impulse mund të orientohet ngado që e udhëheq prijësi a trendi. I riu i kohës sonë e humb kohën përpara kompjutorit, e humb veten në irrealen, në rrjetin e internetit, në anarkinë e artificialitetit. Si pjesëtare e një shoqërie gjithmonë “online”, gjithmonë të qasshme në rrjetet sociale më duket mjaft démodé që kohën, periudhën më me vlerë të jetës e cila më s’ka kthim ta kalojmë të burgosur si netizenë, si njerëz të rrjetit, si cybercitizenë, kur bashkëatdhetarë i kemi të gjithë njerëzit e globit, gjendje kjo në të cilën, përkundër anëve pozitive, me peshë goxha të madhe është edhe negativja.

Një i urtë i kohëve tona ka thënë se interneti është mjet për të harxhuar kohën të cilën s’na e kthen askush. Të tjerë kanë shprehur ankesën e tyre duke shtruar pyetjen “Si facebooku ma vodhi jetën: (How Facebook Stole my Life!) Një studim zviceran (Eidenbenz, 2001) ka konstatuar se të dhënët pas internetit mesatarisht 35 orë në javë i kalojnë në internet jashtë angazhimit profesional. Megjithëkëtë, madje edhe më pak se 35 orë në javë të kaluara në internet mund të shkaktojnë ndikime negative ose të jenë të lidhura me simptome vartësie. Kjo është koha kur PC është kryeshtëpiaku teknologjik që po përjashton leximin, bisedën, odën tradicionale, rrëfenjat, përrallat... Bota adoleshente e kohës sonë librin e ka out, ajo merret me iPAD, iPhone, me Facebook, me walkman etj.

Nuk kemi për qëllim të krijojmë një portret pesimist të gjendjes dhe kohës aktuale, mirëpo për të ndryshuar gjendjen duhet parë realitetin pa censurë, na duhet aktivizëm ndërgjegjësimi. Apel për të gjithë që kanë mendje: bëhuni rojtarë të vetvetes, dijeni se koha nuk kthehet mbrapsht!

Paralel me gjithë këtë që cekëm, duam të shtojmë edhe faktin se jemi mjaft të vetëdijshëmembi atë se duhet të ecim me kohën, mirëpo në këtë epokë te çuditshme në të cilën mbisundon virtualizmi masiv - shpesh destruktiv, duhet që veten pos me netin (rrjetin) duhet ta mbajmë tok edhe me vlerat reale! Thuaj: “Jam netizen, përdori letizen, ama në kokë kam edhe men’”
Shtuar më 07/01/2015, ora 20:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori