Emri, Shkupi dhe Athina nuk japin detaje për propozimet
Përveç faktit se ekzistojnë dallime mes draftit të palës maqedonase dhe të asaj greke, as Shkupi e as Athina zyrtare nuk zbulojnë detaje të dokumenteve për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski vetëm sqaroi se drafti maqedonas është përgatitur nga ekspertë, por pa dhënë detaje qoftë për njërin apo draftin tjetër.

"E dini se këto negociata nuk i udhëheqim përmes mediave, ashtuqë draftin e përgatitën ekspertë nga Ministria e Punëve të Jashtme, kabineti i kryeministrit. Megjithatë nuk bëhet fjalë për ekip që funksionon enkas për negociatat", deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

As zv/ministri i jashtëm grek, Janis Amanatidis nuk e komentoi draftin e Shkupit, por ritheksoi qëndrimin e palës greke për zgjidhje erga omnes.

"Ne jemi për emër të përbërë edhe për përdorim të jashtëm edhe për përdorim të brendshëm, respektivisht erga omnes. Për të brendshmin, është e qartë se do të jetë i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës. Bisedojmë edhe për çështje që lidhen me irredentizmin, që mund të jenë në libra ose Kushtetutë. Është një paketë", tha Zv/ministër i Jashtëm i Greqisë Janis Amanatidis.

E përditshmja greke Ekathimerini shkruan se drafti grek përmban 7 pika, ndërsa i zbulon 3 prej tyre.

"Pos simbolikës së vizitës së tij, Kocijas pritet të ketë diskutime konkrete me zyrtarët e Qeverisë së IRJM-së, ndërsa në fokus do të jetë propozimi 7 pikësh që i kemi dërguar Shkupit. Duket se do të ketë afrim në tre nga këto pika: për emrin Republika Gorna Makedonija (Republika e Maqedonisë së Veriut), në akronimin që do të përdoret dhe në kërkesën e Greqisë që IRJM-ja të demonstrojë tërheqjen nga irredentizmi", shkruan Ekatimerini.

Mediat greke shkruajnë se takimet në Shkup do të zhvillohen në kushte të tensioneve të shtuara dhe madje edhe presionit të jashtëm, duke theksuar qëndrimin e Rusisë ndaj aspiratave euro-atlantike të Shkupit. Sipas tyre, tashmë negociatat kanë hyrë në fazën më kritike për këtë kontest jo vetëm gjeo-politik dhe gjeo-strategjik, por edhe kulturor e historik. Në Greqi, gjithsesi problemi më i madh mbetet qëndrimi i partnerit të koalicionit, Grekët e Pavarur përsëritën qëndrimin se nuk pranojnë një zgjidhje me termin “Maqedoni”, pavarësisht se pas takimit të djeshëm me kryeministrin, Aleksis Cipras qartësuan se e vazhdojnë koalicionimin. Ndërkaq lideri i partisë opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Micotakis së fundmi u shpreh se është tepër vonë për të formuar një front kombëtar, derisa vetë Qeveria dështon të formojë një linjë. /albeu.com/
Shtuar më 21/03/2018, ora 16:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori