E shpallën të vdekur, Mirush Kabashi pas përballjes me sëmundjen e rëndë: Pash çfarë kam lënë pas (VIDEO)

Një interpretim emocionues e plot ndjenja, që na bën të reflektojmë, dhuroi “Mjeshtri i Madh i Skenës”, “Nderi i Kombit” dhe “Artisti i Merituar”, Mirush Kabashi.

Aktori u ngjit në skenën e madhe të Festivalit të Këngës në RTSH pas 25 vitesh, ndërsa zgjodhi të interpretonte poezinë “Ah moj demokraci”, një tribut për poetin PanoTaçi.

“Kam 20 vite që e kam bërë këtë zgjedhje, fill pasi e ka hartuar tekstin Pano Taçi, unë kam qenë dashuruar me këtë poezi që i përkonte kohës.

Edhe sot me problematikat që ka, kemi nevojë të bëjmë njëlloj meditimi“, tha Kabashi pasi u pyet nga moderatorja Arbana Osmani se përse kishte zgjedhur të interpretonte këtë poezi.

Aktori foli edhe për gjendjen e vështirë shëndetësore me të cilën u përball para dy vitesh, e ndërsa i pyetur mbi përjetimet që një njeri kalon kur i mbijeton një situatë kritike për jetën u shpreh:

“Përjetojmë një detyrim të madh ndaj atyre që na ndihmuan ta kapërcejmë këtë, ndaj publikut, artdashësve.

I përulem pafund sepse fjalët e tyre inkurajuese, shqetësimi që mbartin, ka qenë medikamenti më i saktë për të kaluar problemet shëndetësore, qofshin edhe ato madhore”, tha aktori i madh, që mori duartrokitje te shumta.

Në kohën e sëmundjes qarkulloi lajmi se Mriush Kabashi ndërroi jetë. Edhe për këtë aktori ka thënë dy fjalë.

“Pata kënaqësinë të provoj se çfarë kam lënë pas. Kam përjetuar një kënaqësie sepse kam konstatuar se ajo që do lë pas është pasuria më e madhe që do t’i lë familjes. Dhe është emri i mirë”.