Ekspertët: Ligji avancon shqipen, por nuk e zyrtarizon
Asnjë ligj nuk mund të ofrojë zgjidhje të përhershme për zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Eksperti juridik Jeton Shasivari sqaron se në Kushtetutë shqipja nuk është e precizuar si gjuhë e shtetit por përcaktohet si gjuhë komunikimi e një individi apo një pale.

“Ligji në fjalë do të ofrojë zgjerim ose avancim të gjuhës shqipe nëpër institucione shtetërore të ndryshme të pushteti qendror por kjo nuk do të thotë se zyrtarizohet gjuha shqipe si gjuhë e shtetit apo organeve të pushtetit shtetëror sepse qasja do të jetë sipas nenit 7 paragrafi i 5 të Kushtetutës së Maqedonisë ku gjuha shqipe parashikohet si një gjuhë e palës individit e qasjes, komunikimit, pjesëmarrësit në procedurë, pasi është e qartë se në të drejtën kushtetuese gjuha zyrtare përcaktohet si gjuhë e shtetit dhe organeve të pushtetit shtetëror – deklaroi profesori Jeton Shasivari.

Në kushte kur në mes partive nuk ka marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës, albanologia Ajtene Qamili kërkon që paralelisht me Ligjin e ri të shqipes të miratohet edhe një ligj tjetër për mbrojtjen e saj që do të parashikonte sanksionet për ato institucionet që nuk e zbatojnë dhe e përdhosin atë.

Këtu nëse nuk ka ndonjë gjobë apo ndëshkim as nuk përpiqemi ta zbatojmë ligjin dhe po rikthehem në atë që gjithmonë duhet të kemi parasysh që në ligjin që do të miratohet, të mos lihet hapësirë farë për manipulime – tha albanologia Ajtene Qamili.

Por, Alsat tashmë ka zbuluar se drafti i dakorduar mes LSDM-së dhe BDI-së parashikon formimin e një Inspektorati që do të sanksionojë me gjoba deri në 3 mijë euro institucionet që nuk e zbatojnë shqipen. Po ashtu do të formohet edhe një agjenci për cilësinë e përkthimit.

Megjithatë, profesori Jeton Shasivari sqaron se as kjo nuk është zgjidhje pasi dispozita kushtetuese që rregullon përdorimin e shqipes në Maqedoni nuk është e precizuar si normë imperativi gjë që u le të hapur mundësinë institucioneve për moszbatimin e ligjit në praktikë.

Dispozita kushtetuese e nenit 7 paragrafi i 5 i kushtetutës nuk paraqet normë imperative në kuptim të një rregulle të detyrueshme të sjelljes se subjektet nuk mund të heqim dorë pa një sanksion të caktuar por paraqet një normë dispozitave kushtetuese që ju lë subjekteve lirinë e zgjedhjes, pra nëse duan mund të përdorin gjuhën shqipe por nuk janë të obliguar për një gjë të tillë – tha Shasivari.

Drafti i për gjuhën shqipe, parashikon përdorimin e saj të gjerë të saj në Kuvend dhe në Qeveri. Pas miratimit të këtij ligjit, shqipja po ashtu do të nis zbatimin edhe në sistemin gjyqësor.

Aktet noteriale, do të jenë gjithashtu edhe në shqip, por ka ende paqartësi nëse gjuha amtare do të përdoret edhe në seancat gjyqësore. Shqipja do të përdoret edhe në rajonet ku shqiptarët nuk jetojnë dhe në uniformat e pjesëtarëve të forcave të sigurisë. /albeu.com/
Shtuar më 23/02/2017, ora 19:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori