EKSKLUZIVE/ Komuna e Mitrovicës, skandal me punësime familjarësh
Nga Ervin Shkulaku

Punësimet familjare dhe partiake janë fenomene shqetësuese që nuk po pakësohen nëpër Komunat e Kosovës. Shpesh herë ka pasur ankesa në media për këto lloj punësimesh por reagimi ka qenë i brishtë dhe siç thotë një fjalë e urtë popullore "çudia më e madhe tre ditë ka zgjatur".

Në redaksinë e albeu.com ka ardhur edhe një ankesë për një punësim të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës të Jugut.

Bëhet fjalë për konkursin me numër reference JP00027869, saktesisht me titull pozite “Zyrtar për Bibloteka”.

Sipas një burimi që dëshiron të mbetet anonim, këtë konkurs e ka fituar znj. Arta Gjoshaj Sadiku pa e plotësuar kriterin e tipit të diplomës.

Burimi në fjalë thotë se sipas njoftimit të konkursit duhej të aplikonin ata persona që posedonin diplomë në fushat e Filologjisë, Gazetarisë, Komunikimit, Juridik dhe ekonomik, por thotë më tej, se fituesja e këtij konkursi posedon diplomën e fakultetit informatik.

Por, sipas burimit problemet nuk mjaftojnë me kaq. Ankesa vazhdon se zonja në fjalë është bashkëshorte e Shefit të Gjendjes për Shërbime të qytetarëve në Komunën e Mitrovicës, Bekim Sadikut dhe në këtë situatë pretendohet se ka konflikt interesi.

Po në këtë konkurs është pranuar edhe një person i dytë që përsëri dyshohet se ka konflikt interesi. Mësohet se bashkëshorti i znj. Hajrije Muzliukaj e cila është pranuar në punë është asambleist i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

“Këtu në Mitrovicë po të mos jesh me një parti e ke të pamundur të punësohesh” thotë i dëshpëruar burimi për albeu.com.

Albeu.com ka kontaktuar me email dhe përmes Facebook-ut me Komunën e Mitrovicës.

Përgjigjia e komunës ka qenë shumë e thatë.

“Të gjithë kandidatët kanë të drejtë ankese , ata munden mu anku në afat të caktuar, mandej komisioni i cili e ka bërë edhe përzgjedhjen e bën shqyrtimin e tyre dhe del me një vendim” thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

Papunësia ngelet të jetë sfida kryesore e qeverive në Kosovë. Shumë të rinj të ardhmen e tyre e shohin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ndërkaq sipas raportimeve korrupsioni vazhton të jetë tejek aktiv në institucionet e Kosovës./albeu.com

Shtuar më 05/09/2017, ora 13:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori