Edhe sot mbyllet për publikun seanca e rastit Monstra
Në Gjykatën Penale të Shkupit, mbrapa dyerve të mbyllura për opinionin, sot vazhdon gjykimi për rastin “Monstra”. Në seancën edhe sot do të vazhdohet me nxjerrjen e provave të marra nga masat e veçanta hetuese, gjegjësisht komunikimet që i ka siguruar MPB në vitin 2012 nëpërmjet përgjimeve të telefonave celular të të akuzuarve.

Në seancë do marrin pjesë, trupi gjykues, avokatët, të akuzuarit bashkë me avokatët e tyre, familjarët e të vrarëve bashkë me avokatët e tyre dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe OJQ-së Koalicioni për Gjykim të Drejtë.

Pala mbrojtëse, vazhdimisht deklarohet se provat e nxjerra nuk janë relevante dhe nuk dëshmojnë se të akuzuarit e kanë kryer vrasjen.

“Nuk janë asgjë, janë biseda të përditshme, i presim përgjimet të cilat supozohet t’i ketë Prokuroria Speciale Publike dhe mendoj se ato do ta ndihmojnë gjendjen faktike që deri në fund të zbardhet ky rast”, thotë për Portalb.mk, Naser Raufi.

Këto përgjime s’kanë të bëjnë me “bombat” e Zaevit, të cilat supozohet t’i ketë Prokuroria Speciale.+

Monstra

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Shtuar më 01/03/2019, ora 10:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori