Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) ka konstatuar se edhe dosja “Ibar”, e cila në opinion u ndërlidh me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, është e falsifikuar, njëlloj si
dosjet paraprake për bashkëpartiakët e tij me pseudonimet “Mama” dhe “Vujko”. Siç njoftojnë nga
Komisioni i lustrimit, DSK-ja ka konstatuar se
dokumentet e dosjes “Ibar” nuk përputhen me standardet për përpilimin e dosjeve dhe se të njëjtat janë të falsifikuara. Mësohet se edhe Agjencia e Zbulimit dhe Arkivi shtetëror gjithashtu janë përgjigjur se tek ato nuk kanë gjetur dosje të tilla.
Ka mbetur të arrijë vetëm edhe përgjigjja nga zbulimi ushtarak i Maqedonisë. Nëse edhe nga ky institucion merret e njëjta përgjigje, atëherë
Komisioni i lustrimit në seancën e paraparë për ditën e hënë do t’i hedhë poshtë
dokumentet e së ashtuquajturës dosje për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, njëlloj siç veproi me
dosjet për ministrin Musa Xhaferi dhe deputetin Fazli Veliu.
Ditë më parë, BDI-ja tha se shumë shpejtë do të paditin profesorin Shpend Lushi, ish-inspektorin e UDB-së, Bozhidar Spasiq dhe PDSH-së. Nga BDI kanë thënë se këtë hap po e ndërmarrin pasi që
dosjet e deponuara nga profesori Lushi dhe njëra e publikuar në një gazetë të përditshme maqedonase
Komisioni për lustrim i shpalli të pavlefshme dhe
plagjiat.
Nga ana tjetër, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë të premten në emisionin “Impakt” të televizionit “TV Alb” se edhe partia e tij do të ngrejë padi penale kundër BDI-së për shkak se kanë akuzuar PDSH-në se i ka nxjerrë
dosjet.
“Nuk kanë asnjë fakt, asnjë argument se ne qëndrojmë pas këtyre dokumenteve. Vazhdoj ta përsëris atë që e di opinioni publik, për herë të parë
dokumentet janë publikuar në gazetën Fokus dhe Dnevnik. Pse merren ata me PDSH-në? Pse thonë se PDSH-ja i ka nxjerrë këto dokumente?”, ka thënë Thaçi.
Shtuar më 05/11/2010,
ora 19:52