Çudit Artan Lame: Korçarët, më të paaftit për të ndërtuar pa leje

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, është shprehur se korçarët vijojnë të mbeten më të paaftët për të ndërtuar pa leje.

Lame ishte këtë fundjavë në Korçë për të përfunduar procesin e legalizimit të një pallati të braktisur nga ndërtuesit. Bëhet fjalë për një pallat që gjendet në qendër të qytetit, përballë Bashkisë dhe që ishte ndërtuar që në vitin 2006.

Në pamundësi për t’u mbyllur procedurat nga investitori, i cili i kishte braktisur punimet që menjëherë pas ndërtimit, banorët e kanë legalizuar nëpërmjet zgjedhjes së një administratori, i cili ka ndjekur procedurat me zyrat vendore të Kadastrës.

“Korçarët vazhdojnë të jenë më të paaftit për të ndërtuar pa leje dhe kjo i bën nder këtij qyteti që respekton punën dhe ligjin”, u shpreh Lame.

“Korça mban vendin e fundit në Republikë për numrin e ndërtimeve pa leje në përgjithësi, por edhe për numrin e pallateve të ndërtuara dhe të braktisura nga ndërtuesit. Korça ka pasur vetëm dy pallate të tilla, ndërsa po të donim të bënim një krahasim, Tirana ka pasur rreth 1100 pallate të tillë, ndër të cilët edhe raste që datonin që prej vitit 1996. Deri më sot, rreth 850 prej tyre e kanë përfunduar procesin e legalizimit”, shtoi ai.

Lame nënvizoi se, si gjithmonë në këto raste, legalizimi u realizua përmes bashkëpunimit të ngushtë të banorëve me zyrën e Kadastrës. Administratori i pallatit theksoi se përveç bashkëpunimit me Kadastrën, atij i ishte dashur të mblidhte dokumentacionin nga secili prej banorëve, si edhe të bëheshin bashkë për të paguar detyrimet e përbashkëta.

Pallati i legalizuar këtë fundjavë në Korçë, ishte ndërtuar që në vitin 2006, ka 10 kate, dhe sipërfaqe ndërtimi rreth 6300 m2 dhe nga legalizimi i të cilit përfituan 62 familje, apartamente dhe njësi shërbimi.