Dyshimet dhe prapaskenat e rastit të Kumanovës
Pëlqej
Një ndër avokatet e ‘Grupit të Kumanovës’, Arten Ademi shpjegon pikat kyçe ku është devijuar procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës.

Në ç’mënyrë është formuar koncepti bazik i Mbrojtjes, nëse kanë treguar deputetë apo partitë politike interes gjatë seancave gjyqësore, mundësitë e formimit për komisionin parlamentar dhe sa janë respektuar liritë dhe të drejtat për pjesëtarët e ‘Grupit të Kumanovës’.

Portali FOL: Cilët janë tre pikat kryesore ku ju mendoni se procesi gjyqësor për ‘Grupin e Kumanovës’ tërësisht u devijua?

Artene Iseini: a) Hetuesia nuk është bërë duke u mbështetur në procedura ligjore b) Aktakuza nuk bazohet në dëshmi dhe fakte. c) Shpallja e vendimit është arbitrar.

-Si është formuar koncepti bazik i Mbrojtjes së klienteve tuaj, kush e formuloi, në ç’bazë?

Artene Iseini: Koncepti dhe gjithë konstrukti i mbrojtjes mbështete në LPP, në aktet dhe nënaktet Juridike, në Kushtetutë të R. Së Maqedonisë si dhe në praktikat dhe përvojën mbi 35 vjeçare të Zyrës tonë të Avokatisë në Gostivar dhe Shkup.

Sigurisht të konceptuara nga Avokat Shazivar Iseini, penalist i mirënjohur dhe ish Gjykatës i Gjykatës Penale Shkupi 1- Shkup, nga unë Avokate Artene Iseini e licencuar edhe në Zvicër dhe nga gjithë bashkëpunëtorët dhe nëpunësit e Kancelarisë sonë. Këtu duke i përfshirë edhe konsulentët dhe ekspertët juridik me renome vendore dhe ndërkombëtare.

-A kanë treguar deputetet interes sesi shkoi procesi gjyqësor dhe pse ky rast mund të jetë halë në sy për politikanët shqiptarë në Maqedoni, në veçanti për BDI-në?

Artene Iseini: Zyra jonë nuk është kontaktuar as nga deputetët as nga Kuvendi dhe as nga ndonjë parti politike.

-A mendoni se duhet të ketë komision parlamentar për rastin ‘Kumanova’?

Artene Iseini: A duhet të formohet Komision Parlamentar për rastin “Kumanova 2015” është në kompetencë dhe vlerësim të parlamentit.

- A janë respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut të pakten tek klientët tuaj?

Artene Iseini: Ndiqni prononcimet e zyrës sonë në media dhe do të informohuni në hollësi për shkeljet flagrante të të Drejtave të Burgosurve. Të paraburgosurit e rastit Kumanova mizorisht janë trajtuar në qelitë e Burgjeve dhe në hapësira të Gjykatave.

Për shkeljet e të drejtave të të Burgosurve, Zyra jonë e Avokatisë, në kohë krahas prononcimeve në mediume me shkresa ka njoftuar:

Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë,Drejtorinë e Burgjeve, Avokatin e Popullit, Komitetin e Helsinkut, Ambasadat e SHBA-së, të UE-së dhe të R. së Kosovës, OSBE-në në Shkup dhe OKB-në në Gjenevë.

Përndryshe, Grupi i Kumanovës u dënua nga Gjykata Penale me 746 vite burg dhe tetë prej tyre me burg të përjetshëm. Subjekete e ndryshme kërkojnë hetim ndërkombëtar për këtë rast.
Shtuar më 18/11/2017, ora 23:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori