Dy muaj nga arratisja e Grujevskit dhe Boshkovskit, MPB vazhdon hetimet
Pëlqej
U bënë 50 ditë që nuk ka shenja nga arratisja e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit, ish pjesëtarë të Ministrisë për Punë të Brendshme (MPB) dhe Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) ku edhe gjendet sistemi i përgjimeve, rast hetimi i Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Arratia e tyre është e organizuar meqë u tha se Goran Grujevski për t’u arratisur ka përdorur pasaportë me identitet të dyfishtë. Në lidhje me këtë në MPB zhvillohet hetim se kush iu ndihmoi Grujoskit dhe Boshkovskit që të arratisen. Sipas ministrit për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski arratia e tyre është gabim i gjykatës.

“Është e dukshme se këtu bëhet fjalë për një situatë që përfshinë Prokurorinë Publike, Gjykatën Themelore dhe strukturat qeverisëse paraprake të cilat lejuan arratisjen. Besoni se po zhvillohen procedura adekuate dhe do të arrijmë edhe te persona tjerë të cilët me siguri ndihmuan atë për të cilën duhet të jepet përgjegjësi”, tha dje Spasovski.

Vendimin për paraburgim Gjykata e Apelit në Shkup e dha më 18 korrik, por ai nuk hyri në fuqi menjëherë pasi që pritej vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila vendimin e shpalli më 26 korrik rreth orës 14. Procedura e nevojshme për vendim të arrestimit nga MPB zgjati 7 orë, kohë e mjaftueshme që Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski të arratisen.

Mediat nxorën informata se të njëjtët gjenden në Bosnjë e Hercegovinë dhe se Goran Grujoski për t’u arratisur ka marrë identitet tjetër, atë të kolegës së tij polic, Vlladimir Varellov. Pasaportë me emër të Vlladimir Varellovit kurse me fotografi të Goran Grujevskit është përpunuar në MPB dhe ky i fundit me po të njëjtën ka udhëtuar për në Bullgari para shqyrtimit të masës së paraburgimit. Gjykata e Apelit u përcaktoi paraburgim si të dyshuar në rastin “Target” dhe “Fortesa” të Prokurorisë Speciale Publike.

Grujoski është i akuzuar për vepra penale “shoqërim kriminel”, “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit” dhe “falsifikim të dokumenteve”, ndërsa Nikolla Boshkovski akuzohet për vepra penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Shtuar më 13/09/2017, ora 13:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori