Dy alternativa për dalje nga ky ‘qorrsokak’ politik
Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) me rastin e konstituimit të qeverisë së dytë Gruveski – Ahmeti në një shkrim autorial të publikuar në portalin www.rdk.org.mk, këtë qeveri e ka cilësuar si qeveri e kontinuitet dhe si diçka tashmë e parë nga mandati paraprak.

Në 100 ditët e para të qeverisjes, vlerësimet e RDK-së shpalosura me rastin e konstituivit të saj, jo vetëm qw janë konfirmuar, por tashmë bile edhe janë tejkaluar në aspekt negativ, shkruan Zhurnal.

Sipas RDK-së, me një qeveri me kapacitete kadrovike diskutabile dhe me një marrëveshje qeveritare shumë problematike ka qenë e pritur që 100 ditët e para të jenë muajt e kontinuitetit në dështimin qeverisës.

“Progres-raporti i fundit i BE-së manifeston ‘status quo’-në e vendit që nga viti 2001, duke mbetur shumë prapa vendeve të rajonit me pasoja shumë negative për realizmin e objektivit bazë të qeverisë - zhvillimin e përshpejtuar ekonomik.

Manifestimi i nacionalizmit të rrejshëm në 20 vjetorin e pavarësisë së vendit dhe konfrontimi publik me qëndrimet e BE-së dhe te komisarit Fyle, nëpërmjet të ashtuquajturve intelektualë dhe shoqatave joqeveritare për gjoja ruajtjen e identitetit nacional dhe gjuhësor maqedonas, manifestojnë kulmin e politikës anti-intgruese dhe mohimin e drejtpërdrejtë të karakterit multientik të vendit”, thuhet në shkrimin autorial të Osmanit.

Sipas RDK-së çështja kryesore që është temë e bisedimeve ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, është emri ndërkombëtar i vendit IRJM (FYROM ) dhe gjetja e një alternative tjetër për zëvendësim dhe jo emri për përdorim të brendshëm (Republika e Maqedonisë) sepse ky emër është ndryshuar që në vitin 1993 me marrëveshjen e përkohshme me të cilën vendi u bë anëtar në Kombet e Bashkuara.

“Disa nga dështimet më kryesoret identifikohen më: miratimin e Ligjit për avancimin e përdorimit të gjuhës së popullit 20%, Ligjit për përdorim të flamurit shqiptar , dështimit të regjistrimit të popullsisë dhe lejimit të realizimit të projektit Shkupi 2014.

Këto projekte të dështuara politike i mveshin përgjegjësinë dhe fajin historik BDI-së si parti e cila në plan politik vazhdon me degradimin e mëtejmë të të drejtave kolektive të shqiptarëve duke devalvuar përfundimisht projektin e tyre politik-Marrëveshjen e Ohrit si marrëveshja 20% dhe marrëveshje me të cilën definitivisht populli shqiptar mbetet në statusin e pakicës etnike, përkundër gënjeshtrave permanente të cilat u bëhen shqiptarëve për gjoja statusin e popullit shtetformues nga udhëheqësit kryesorë të kësaj partie politike”, thuhet në qëndrimin e RDK-së.

Nga ky subjekt politik thonë se projekti ‘Shkupi 2014’ definitivisht ka transformuar kryeqytetin e vendit në qytet me tipare ekstreme monoetnike dhe monofetare sllave dhe antike përkundër realitetit multietnik të vendit, ky projekt është një gabim menaxherial politik i BDI-së që nuk do të falet nga gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të popullit shqiptarë në Maqedoni.

Kjo parti vlerëson se analiza e strukturës së investimeve kapitale të parapara për vitin 2012 dhe deklaratat e funksionarëve të BDI-së për gjoja buxhet proporcional dhe alokim të së paku 25% të parave publike investive në dobi të shqiptarëve, manifestojnë kulmin e mosdijes dhe papërgjegjësisë politike sepse nëse do të ishin siguruar 25% investime kapitale për shqiptarët kjo e ka kuptimin e investimeve në lartësi prej afërsisht 100 milion euro.

“Tashmë është evidente se VMRO-DPMNE nuk është e gatshme të marrë përgjegjësinë për të mbyllur çështjen e kontestit të emrit me Greqinë.
Nevojitet prononcim publik dhe shumë transparent se cili është qëndrimi i vërtetë i LSDM-së për këtë çështje sepse kjo parti deri më tash, krahas kritikave, nuk ka bërë publik qëndrimin e saj të vërtetë”

RDK mendon se ekzistojnë dy alternativa të mundshme për të dalë nga ky ‘qorrsokak’ politik: Krijimi i qeverisë së koalicionit të gjerë, ngjashëm si në vitin 2001 me objektiv tejkalimin e kontestit me Greqinë dhe më pas organizmin e zgjedhjeve të parakohshme së bashku me zgjedhjet e rregullta lokale , dhe nëse nuk realizohet alternativa e parë, lëshimi i qeverisë nga BDI-ja dhe votimi në parlament i mosbesimit të qeverisë Gruevski 3 dhe formimi i qeverisë me shumicë të re parlamentare me objektivin e njëjtë.

Shtuar më 09/11/2011, ora 13:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori