"Drejt rrugës së shkronjave për Manastir", motoja e 107-vjetorit të alfabetit
"Drejt rrugës së shkronjave për Manastir". Kjo është motoja e aktiviteteve që fillojnë nesër në qytetin e shkronjaveManastir, ku do të shënohet 107-vjetori i alfabetit të gjuhës shqipe.

"Për tri ditë me radhë, qytetarët e Manastirit dhe të gjithë të tjerët që do të shprehin interesim për t’i ndjekur për së afërmi, do të kenë mundësi të kujtojnë traditën sublime dhe të pasurohen me vlera të jashtëzakonshme të kulturës sonë", tha në konferencën e sotme të shtypit, sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.

Ai njoftoi se aktivitetet nisin në ora 12 me shoqatën ” 22 Nëntori”, e cila do të organizojë vizitën e Forumit të Grave Shqiptarë në Maqedonisë në Muzeun e Alfabetit. Më pas do të ketë një ekspozitë me veshjet e grave të Manastirit nga koha e konsujve.

Aktiviteti qendror do të mbahet me 22 nëntor, në orën 19:00, në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës në Manastir, ku për herë të parë do të prezantohet orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të kurorëzohet marrëveshja ndërkulturore mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë.

Gjithashtu Shehapi njofton se repertori i përgatitur është i punuar enkas për këtë ditë. Solistët janë emra të shquar të skenës sonë përfshirë, Shkodran Tolaj – tenor dhe një prej zërave më të mirë që kemi, Vikena Kamenica, e cila vjen nga Opera e Shqipërisë, Armando Likaj ­ bas si dhe pianisti jonë nga Maqedonia, Shkëlzen Bahtijari. Dirigjent i orkestrës është maestro i Teatrit të Operës nga Shqipëria, Edmond Doko.

Pritet që të pranishëm në këtë eveniment të jenë udhëheqës institucionesh shtetërore nga të dy vendet duke shënuar kështu një prej sukseseve më të mëdha në aspektin artistik dhe kombëtar. (MIA) /albeu.com/
Shtuar më 18/11/2015, ora 15:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori