Nën frikën e rrëzimit, kryeministri i Malit të Zi merr kompetencat ministrore

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq më 24 janar mori drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, hoqi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq nga kreu i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe largoi nga drejtuesi i delegacionit shtetëror për negociata me Bashkimin Evropian, ministrin e Jashtëm, Gjorgje Radulloviq.

I pyetur se çfarë dëshiron që të arrijë me shkarkimin dhe heqjen e kompetencave të ministrave, Krivokapiq tha se është “e papranueshme që Qeveria të rrëzohet nga brenda”.

Teksa mori pjesë në një panel diskutimi për mediat në Podgoricë më 25 janar, ai tha se në Mal të Zi po zhvillohet një “grusht-shtet”, por nuk dha më shumë detaje për këtë temë.

Më vonë, Krivokapiq deklaroi për gazetarët se ministri i Jashtëm, Radulloviq për një kohë të gjatë kishte punuar kundër Qeverisë aktuale.

“Unë nuk e kam ngritur çështjen e shkarkimit të asnjë ministri, edhe pse tani shihet shumë qartë se kush ka punuar për kë”, tha Krivokapiq, duke shtuar se pret që ministra të tillë të japin dorëheqje.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, heqjen e kompetencave të ministrave dhe shkarkimet e mundshme i vlerësoi si reflektim të pafuqisë.

“Me Qeverinë do të përfundojë gjithçka në datën 4 shkurt. Nëse mendojnë se ndryshimet i kontribuojnë situatës, nuk ka asnjë problem për mua. Por, nëse dikush do të prekë rendin kushtetues, veçanërisht atë të sigurisë, të provokojë trazira në Mal të Zi apo shpërthen nacionalizmin, do të ketë përgjigje adekuate në të njëjtën sekondë”, tha Abazoviq.

Partia e Abazoviqit, Lëvizja Qytetare URA, së bashku me parti të tjera, ka dërguar në procedurë parlamentare mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit. Për këtë mocion do të votohet në Kuvend më 4 shkurt.

Në përgjigje të mocionit, Krivokapiq i ka kërkuar Kuvendit që të mbajë seancë më 3 shkurt për shkarkimin e Abazoviqit nga posti i zëvendëskryeministrit, por edhe për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, që t’i hapet rruga shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Abazoviq ka propozuar krijimin e një qeverie të pakicës. Ndërkaq mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e partisë pro-serbe Fronti Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq, që mban postin e zëvendëskryeministrit./REL


Shtuar 25.01.2022 21:45