Çifti shqiptar tentoi të fluturojë drejt Londrës me dokumente false, arrestohen në Brindisi

Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane pasi shtetasit kishin pasaporta false si dhe ishin bërë gati të hipnin në një aeroplan që nisej nga aeroporti Salento i Brindizit për në Londër.

Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 20 shtatorit kur agjentët e Polaria (Policia Kufitare Ajrore) prangosën në aeroport një 31-vjeçare shqiptare dhe një 27-vjeçar të së njëjtës kombësi.

Dokumentet e falsifikuara ishin të besueshme dhe mund të mashtronin policët në një kontroll të përciptë. Qëndrimi i të dyve, të cilët dhanë informacione konfuze dhe gjenerike për origjinën dhe qëllimin e udhëtimit të tyre, i vuri në dyshim agjentët, të cilët në atë moment i nënshtruan dokumentet një analize më të thellë.

Jo vetëm me sy të lirë, por nëpërmjet përdorimit të pajisjeve shkencore. Kështu doli se dokumentet e ekspozuara nga pasagjerët, edhe pse në dukje ishin shumë të ngjashme me ato autentike, nuk kishin elementet e sigurisë të pasaportave të lëshuara nga autoritetet. Më pas policia arrestoi 31-vjeçaren dhe 27-vjeçarin./albeu.com