"Dnevnik": Ja cili shtet qëndron pas përgjimeve
Gazeta “Dnevnik” në artikullin e sotëm kushtuar deklaratës së ambasadorit britanik Charles Garrett, zbulon jo pa qëllim se “cili shtet i huaj qëndron pas aferës së përgjimeve”.

Pavarësisht se Qeveria dhe institucionet nuk e kanë të mbështetur mbi asnjë provë këtë pretendim, ata i referohen një letre të shkruar me dorë nga kreu socialdemokrat Zoran Zaev, dërguar ish-shefit të shërbimeve sekrete Zoran Verushevski.

Gazeta trajton deklaratën e ambasadorit britanik, në të cilën ai thotë se kërkesa për qeveri kalimtare duhet të jetë e përfshirë në dialogun politik mes VMRO-së e LSDM-së, shkruan "almakos".

Gazeta, duke i dalë në mbrojtje VMRO-DPMNE-së dhe duke sulmuar nga ana tjetër ambasadorin britanik, thotë se një deklaratë e tillë është në kundërshtim me vullnetin e më shumë se 500 mijë votuesve që kanë votuar për zgjedhjen e Qeverisë aktuale.

Në artikull, gazeta nënvizon se “ndoshta nuk është e rastit që kjo deklaratë e ambasadorit britanik pason informacionet e ditëve të fundit në opinion se është shteti i tij i cili qëndron pas aferës së përgjimeve”.

Gazeta nuk e bën të qartë se cilave informacioneve u referohet, meqë kjo është hera e parë që në opinion lakohet Britania e Madhe, si shteti që akuzohet nga Qeveria se ka përgjuar krerët e shtetit. Gazeta shkruan se në letrën që Zaev i nis Verushevskit përmendet emri i kryeministrit britanik. /albeu.com/
Shtuar më 01/04/2015, ora 14:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori