Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe / Ja atmosfera e koncertit në Manastir (FOTO LAJM)

Me rastin e 22 nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, mbrëmë në Manastir u mbajt një Gala koncert nën patronazhin e zëvendëskryeministrit dr. Festim Halili.

Në fjalën e tij, zëvendës Halili tha se sot shënojmë 108 vjetorin e Kongresit të Manastirit, 108 vjet të gjuhës shqipe.

"Sot, me të drejtë, e gjithë rëndësia e kësaj date grumbullohet në tezën gjuha si elementi kryesor i kulturës kombëtare.

Nëse për të gjithë kombet gjuha shënjon zhvillimin e mendimit të tyre dhe bëhet pjesë kryesore e kulturës, për kombin shqiptar, përkrah kësaj, është edhe elementi kryesor i bashkimit, që u bëri ballë stuhive e ndarjeve dashakeqe ndër shekuj, të padrejta, me lloj-lloj kufijsh që kërcënonin me zhbërje e tkurrje.

Është po elementi gjuhë ai që qëndroi mbi këtë fat tragjik të historisë, që i sfidoi ndarjet, duke institucionalizuar njëherë e përgjithmonë alfabetin që kemi sot.

Është kjo arsyeja që na mblodhi dhe ne në këtë gala mbrëmje kushtuar shkronjave, përkatësisht pararojës sonë kombëtare që është gjuha dhe kështjellës së saj alfabetit.

Alfabetit, shpikjes më të rëndësishme të njeriut që nxori mendimet nga kafka e heshtur, i shndërroi në fjalë dhe kodifikoi përgjithmonë, duke e bërë revolucionin më të madh të njerëzimit; alfabetit latin, këtij alfabeti lidhës me Perendimin, me Evropën, së i cilës i përkasim dhe me të cilën qëndrojmë në koherencë të plotë kulturore me gjithë pesë shekujt e dimrit aziatik", tha Halili.

"Është detyrë e jona, e shqiptarëve kudo që janë, të ruajmë e mbajmë gjallë këtë shtëpi muze, ta pasurojnë atë më fakte të reja, më zbulime të reja, pikërisht në temën e Kongresit historik të mbajtur këtu", tha Halili.

Në këtë koncert Gala morën pjesë edhe orkestra Filharmonike e Universitetit të Arteve "Ibrahim Madhi", solisti Shkëlzen Doli në violinë, dirigjenti Olsi Qinami dhe në poezi si mysafir special Çun Lajçi. /albeu.com/
Shtuar më 23/11/2016, ora 12:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori