Dhuna dhe trukimet në sport dënohen me burg
Dhuna në stadiume dhe trukimi i ndeshjeve sportive, do të dënohen me burg. Këto janë ndryshimet e fundit të Kodit Penal që i ka aprovuar Qeveria, e që do të gjenden së shpejti në procedurë parlamentare, për miratim përfundimtar.

"Me ndryshimet dhe plotësimin e Kodit Penal, parashihen dënime me burg prej 6 muaj deri në 3 vjet, për personin i cili para, gjatë dhe pas ndeshjes sportive, ka keqtrajtuar fizikisht ose ka cenuar sigurinë e një personi tjetër. Nëse i shkakton viktimës lëndim të rëndë trupor, ose vdekje, ligji parasheh për dhunuesin dënim me burg prej 3 deri në 10 vite", ka njoftuar zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjeorgjiev.

Sipas tij, akuzë e posaçme do të jetë ajo për drejtuesin ose organizatorin e grupit të tifozëve, i cili me ndikimin e tij do të nxisë ata drejt dhunës, incidenteve ose dëmtimit të pronës.

Me ndryshimet janë përfshirë edhe trukimet e ndeshjeve sportive, në mënyrë që kjo vepër do të ricilësohet si "mashtrim" dhe "mitmarrje". /albeu.com/
Shtuar më 13/02/2013, ora 13:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori