Dhënia e shtetësisë së Maqedonisë, me zvarritje
Dhënia e shtetësisë së Maqedonisë vazhdon të paraqes problem për shumë qytetarë shqiptarë, të cilët ankohen për zgjatje procedurash dhe anashkalim të problemit të tyre.

"Kam problem se po vonohet përgjigja se çfarë ndodhë me kërkesën time për shtetësi. Kam aplikuar me vite të tëra, po vazhdimisht më zvarrisin. Kjo është një shkelje e rëndë. Njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhet fati ynë, sepse ajo po paraqet problem jetësor", thekson Ramiz H. për Ina, duke shtuar se problemi qëndron tek “labirintet” e krijuara institucionale.

Sipas Ligjit aktual, janë tri nivele institucionale që përcaktojnë dhe zvarrisin procedurat e lëshimit të dokumentit të shtetësisë, duke filluar nga sektori i posaçëm i MPB-së, Komisioni i shkallës së dytë i Qeverisë, si dhe komisioni për njohjen e gjuhës.

Përveç kësaj janë edhe verifikimet e Stacioneve policore në ato zona, ku jetojnë qytetarët që aplikojnë për shtetësinë. Edhe ky problem është evident.

Qytetarët apelojnë që të shkurtohen këto procedura dhe nivele institucionale, për të mos u ballafaquar me problemet që zvarrisin dhënien e shtetësisë.

Në Maqedoni deri tani jepen shifra të ndryshme rreth problemit të shtetësisë, ndërsa numri më i madh i atyre që nuk posedojnë këtë të drejtë janë shqiptarët.

Sipas të dhënave jozyrtare të MPB mund të jenë rreth tremijë qytetarë që nuk posedojnë këtë të drejtë, ndërsa organizatat dhe partitë shqiptare opozitare theksojnë se kjo shifër shkon në mbi 30 mijë veta.
Shtuar më 30/03/2012, ora 11:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori