Detaje nga arrestimi i tre ish-ministrave, si e dëmtuan buxhetin
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me detaje për hetimin kundër ish tre ministrave dhe një zv/ministri të Bujqësisë dhe sipas të njëjtëve, dëmi më i madh është bërë në kohën e Mihail Cvetkovit kur nga qershori i viti 2014 deri në maj të vitit 2017 është bërë dëm prej 572.399 euro.

Dëmi që është bërë nga katër të dyshuarit kap vlerën prej 1.4 milionë euro, ndërkaq është shkaktuar në periudhë prej 10 vjetëve dhe disa muajve. Të dyshuarit në periudhë të caktuar, derisa kanë qenë në funksion kanën nënshkruar marrëveshje për dhënie me qira të tokave bujqësore, të cilat nuk i kanë shfuqizuar edhe pse të njëjtët nuk e anë paguar kompensimin për qira.

Bëhet fjalë për deri më tani 584 marrëveshje për dhënie me qira të tokave bujqësore në lokacione të ndryshme në shtet.

“I paraqituri i parë M.C., në periudhën prej qershor 2014 deri në maj 2017, ur ka qenë në funksionin ministër, me moskryerjen e detyrës zyrtare, në lidhje me marrëveshjet kontestuese për dhënie e qira nuk ka kryer kontrollim për mospagesë të qirave, nuk i ka shfuqizuar marrëveshjet për dhënie me qira për të cilat nuk është paguar kompensim dhe nuk ka dorëzuar padi për mospagim të borxhit sipas marrëveshjeve dhe obligimeve të cilat nuk i kanë kryer personat që i kanë marrë tokat me qira. Pastaj, në llogari të personave të tretë, e ka dëmtuar Buxhetin me vlerë prej 572.399 euro”, njoftojnë nga MPB.

Lupço Dimovski, në të njëjtën mënyrë nga korriku i vitit 2009 deri në qershor të vitit 2014, ka shkaktuar dëm prej 322.708 euro.

Në mandatin e të paraqiturit të tretë, ish ministrit Aco Spasenovski, arka shtetërore është dëmtuar për 32.685 euro, në periudhën prej në gusht të vitit 2006 deri në korrik të vitit 2009.

Ish zv/ministri i Bujqësisë, Hristijan Delev, sipas MPB-së është i dyshuar se e ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar me nënshkrimin e anekseve të marrëveshje për qira, të cilat Ministria i ka nënshkruar me dy persona juridik.

“Me nënshkrimin e Anekseve të Marrëveshjes është konstatuar, në rastin e parë – personi juridik të fillojë me pagesën e obligimeve për qira madje katër vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes. Ndërkaq, në rastin e dytë, personi juridik të fillojë të paguajë qira pas tre vjet e gjysmë, pas nënshkrimit të marrëveshjes. Me këtë në mënyrë të paligjshme i ka liruar nga obligimi për të paguar qira për periudhën në të cilën kanë qenë të obliguar të paguajnë. H.D., në këtë formë e ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar dhe e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 510,706 euro”, theksojnë nga MPB.
Shtuar më 01/02/2019, ora 15:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori