Dëshmia e Talat Xhaferit, Aco Tosta goditi i pari Ziadin Selën
“Do t’ju vrasim të gjithëve, nuk do të dilni asnjëri të gjallë! Me Selën mbaruam, tani ju jeni në radhë”, ishin këto frazat që dëshmitari Talat Xhaferi, i dha në dëshminë e tij për rastin e dhunës së 27 prillit, që ndodhi vitin e kaluar në Kuvend.

Në gjykatën penale ku u zhvillua seanca gjyqësore ndaj 10 të akuzuarve, për veprën penale tenitim vrasje ndaj deputetit Zijadin Sela, dëshmitari Xhaferi rrëfeu rastin kur protestuesit hynë dhunshëm në godinën e Kuvendit, pas zgjedhje së tij si kryetar.

“Në rendin e parë të protestuesve që hynë në sallën e konferencave për media, kishte edhe persona të maskuar, të cilët organizuan turmën për të na sulmuar. Ziadin Sela ishte pas deputetëve të tjerë, por nuk arrita ta shoh kur e tërhoqën nga ne, meqë unë isha i fundit, por pashë që sigurimi i Spasovskit shtiu me pistoletë lartë, për të zmbrapsur turmën, e cila, gjuante drejt nesh me mjete të forta”, tha Talat Xhaferi, dëshmitar.

Xhaferi drejtoi gishtin drejt pesë personave: Stojançe Pavlevski, Andrej Micov, Nikollce Dimitrovski, KIre Gjeorgjievski dhe Oliver Oshavkovski, duke i identifikuar se ata ishin në mesin e protestuesve të dhunshëm.

Edhe deputeti, Damjan Mançevski identifikoi dy të akuzuar të tjerë që ishin të pranishëm në sallë.

“Derisa po na sulmonin, vërejta se në mes të sallës ishin mbledhur dhjetëra persona dhe godisnin dikë me shkelma dhe grushte. Pastaj e kuptova se i shtrirë në tokë ishte deputeti Sela”, tha Mançevski.

Dëshmitari i tretë në këtë rast ishte Aleksandër Kiracovski, i cili theksoi se i akuzuari Andrej Janevski, i njohur si “Aco Toshta” ka tërhequr Selen duke e futur në turmë, siç tha, me qëllim që ta eliminojnë.

“Njëri nga të akuzuarit që ishte i pranishëm, tregova qartë se e tërhoqi deputetin Ziadin Sela nga grupi i deputetëve që ishin në atë sallë. Besoj se më pas ka pasur edhe ndihmës, megjithatë nga ajo që munda të shoh dhe të vërtetoj e tregova në seancën gjyqësore”, u shpreh Kiravocski.

Avokati i deputetit Sela tha se dëshmitë e sotshme vërtetuan aktakuzën e ngritur ndaj të akuzuarve, të cilët u identifikuan si pjesëmarrës në tentimin e vrasjes së Ziadin Selës.

“Ngjarja ka qenë e përgatitur nga direktiva të ndryshme. Urdhërdhënësit njihen për opinionin, ata janë të paraqitur tashmë edhe nga ana e kryeministrit, që natën e parë, kështu që dihen shkaqet pse ka qenë cak Ziadin Sela”, tha Abedin Abduli, Avokat i Ziadin Selës.

Sipas avokatit, komandat kanë ardhur edhe nga celularët e sigurimit të ish kryeministri Nikolla Gruevski, ku prokuroria ka thënë se celulari i marrë si provë materiale ka qenë i dëmtuar. Por, Gruevski thotë se sigurimi i tij ka marr vetëm sim-kartelë nga Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkët pranë qeverisë.

“Për ato arsye ata kanë marrë sim-kartela dhe më pas të njëjtat i kanë kthyer, që do të thotë se aparat celularë as që kanë marrë, dhe sa e kuptova nuk kanë pasur një praktikë të tillë të marrin celularë zyrtarë me vete. Kështu që, nëse nuk kanë marrë celularë, nuk është e logjikshme të thyejnë ata”, u shpreh Gruevski.

Për veprën penale tentim vrasje ndaj deputetit Ziadin Sela, është ngritur akuzë ndaj 10 personave, të cilët aktualisht po mbahen në paraburgim në burgun e Shutkës dhe njëri në paraburgim shtëpiak. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 16 prill. /albeu.com/
Shtuar më 10/04/2018, ora 20:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori