Artan Hoxha i thotë të gjitha: Si dështoi arrestimi i Klodian Zotos, bosit të inceneratorëve

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar në “ABC LIVE” se është tentuar nga policia arrestimi i Klodian Zotos, apo siç njihet ndryshe si “bosi” i inceneratorëve, i cili është shpallur në kërkim nga drejtësia për aferë korruptive.

Gazetari Hoxha është shprehur se policia ka pasur informacione që Klodian Zoto ka qenë në Shqipëri dhe jo jashtë vendit siç mendohej. Duke marrë informacione policia ka ngritur edhe një askion për arrestimin e tij, megjithatë nuk është realizuar me sukses.

Ndërkohë për Stela Gugalljan e cila po ashtu është në kërkim, sipas gazetarit Hoxha rezulton se fshihet jashtë Shqipërisë.

“Policia ka bërë tentativë për të arrestuar Klodian Zoton, brenda Shqipërisë. Stela Gugallja ndodhet jashtë Shqipërisë. Tentativat e  policisë vijnë se ka pasur informacion që ka qenë brenda territorit. Është tentuar që ta kapin brenda. Ka pasur informacion por nuk është bërë e mundur ndalimi i tyre. Kemi pjesën e funksionarëve publik por jo biznesmenët. Është në gjysmë historia.” tha Hoxha.

Për sa u përket hetimeve që po vijojnë në SPAK, gazetari Hoxha u shpreh se nën hetim janë figura të larta të politikës në rang ish-ministrash dhe ish-kryebashkiakësh.

“Janë nën hetim personazhe të rëndësishëm. Rang ministri dhe ish ministra. Rang të kryetarëve të bashkisë. Ende nuk është vendosur se si do procedohet. SPAK është nën presion në këto momente. Se e ka çuar topin deri tek inceneratori i madh i Tiranës. Po kërkohet deri ku do shkohet. Po testohet SPAK se deri ku i ka limitet. Përpjekja për të prerë fijet e Alqi Bllakos dhe të thuhet se përgjegjësit janë vetëm Bllako dhe Lefter Koka. Por kërkimi vijon.” tha Hoxha. /abcnews.al/