Deputetët shqiptarë marrin certifikatat e sigurisë
Drejtoria për Sigurinë e Informatave të Klasifikuara më në fund ka pajisur deputetët shqiptarë me certifikata sigurie, pas presionit të televizionit Alsat M për heshtjen dhe shkeljen e afateve ligjore nga kjo drejtori.

Këtë e konfirmoi deputeti i BDI-së Zulfi Adili, i cili pikërisht për shkak të mos-pajisjes me certifikatë sigurie, vendosi të bojkotonte komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete, bashkë me zv/anëtarin e komisionit Rafiz Alitin.

"Kjo është si pasojë e presionit politik dhe presioneve mediatike që u bënë kohën e fundit për këtë problematikë, dhe si pasojë e këtyre presioneve, Drejtoria për Informatat e Klasifikuara pas një viti e gjysmë gati, që nga prilli i vitit të kaluar, mua më informoi se e kam gati certifikatën e sigurisë, por besoj se edhe deputetët e tjerë", ka thënë deputeti i BDI-së Zulfi Adili.

Adili thotë se pas këtij vendimi të Drejtorisë, ai do t’i kthehet punës së komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e veprimtarisë së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Zbulim. Megjithatë, ai theksoi se shumë shqiptarë të punësuar në administratën shtetërore përballen me problemin e mos-pajisjes me certifikata sigurie. Si pasojë e këtij problemi, atyre u pamundësohet avancimi në karrierë, ndërsa disa prej tyre detyrohen edhe të risistemohen në institucione ku nuk kërkohet certifikatë e tillë. Me këtë, sipas Adilit, në shumicën e institucioneve të sigurisë ngelen shumë pak ose aspak shqiptarë.


"Ka shumë shqiptarë dhe të tjerë, por pjesa dërmuese e të punësuarve edhe në administratë por edhe institucione ku konform ligjit duhet të jenë të furnizuar me certifikatë sigurie, institucionet kompetente nuk i furnizojnë këta djem dhe vajza me këtë dokument, pasi iu duhet në bazë të ligjit, jo që ata duan me çdo kusht ta kenë këtë certifikatë. Por, derisa ata janë të punësuar dhe punojnë në ata sektorë ose ata institucione, ata duhet të jenë me këtë dokument nga institucionet kompetente në këtë shtet", ka shtuar Adili.

Ai nuk ka qenë i pajisur me certifikatë sigurie edhe gjatë kohës që ishte drejtor i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, edhe pse për udhëheqjen e këtij institucioni, certifikata e sigurisë i duhej patjetër.

Edhe pas marrjes së mandatit të deputetit, Adili nuk u pajisë me certifikatë sigurie deri tani, ndërsa nuk merrte as përgjigje për arsyet e mos-pajisjes. Me këtë, Drejtoria për Sigurinë e Informatave të Klasifikuara shkelte ligjin, i cili e detyron atë që në afat prej 6 deri 12 muaj të pajisë aplikuesit me certifikatë, ose t’u kthente përgjigje negative atyre. /albeu.com/
Shtuar më 20/07/2015, ora 16:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori