Dënohen me burg 7 maqedonas që luftonin për ISIS
Gjykata Penale në Shkup i ka dënuar me nga 6 vjet burg, gjashtë shtetas të Maqedonisë që kanë qenë pjesë të formacioneve paraushtarake të ISIS-it, ndërkaq njëri është dënuar me 9 vjet burg, pasi që është akuzuar edhe për veprën penale “Organizatë terroriste”.

Bëhet fjalë për Elmedin Osmanin, Ahmed Xhengis, Orhan Zhupani, Bunjamin Feto, Safet Ramadani, Ibrahim Shabani dhe Almir Mirtovski, të cilët në seancën e kaluar e kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në formacione paraushtarake dhe parapolicore dhe organizatë terroriste”.

“Gjykata ka konfirmuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen në akuzë. Gjatë shqiptimit të lartësisë dhe llojit të sanksionit, Gjykata i ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese”, tha gjykatësja Xheneta Begtoviq.

Prokurori Naum Panovski, pas shqiptimit të dënimit ka kërkuar që të njëjtëve t’u vazhdohet masa e paraburgimit për shkak të rrezikut nga arratisja.

Mbrojtja ka kërkuar që paraburgimi shtëpiak të ndërrohet me masa tjera siç është paraburgim shtëpiak dhe marrje të dokumenteve të udhëtimit për shkak të problemeve shëndetësore dhe gjendjes familjare.

Ndryshe, pas shpërthimit të konfliktit në Siri, duke e ndjekur trendin botëror të parandalimit që shtetasit e shteteve të largohen dhe t’i bashkëngjiten ISIS-it ose ndonjë fraksionit tjetër, më së shpeshti Xhabhad al Nusra, Maqedonia në vitin 2014 në Kodin Penal vendosi nen të ri, 322, “Pjesëmarrja në luftë të huaj, polici, formacioni paramilitare dhe ushtarake”.

Deri më tani për këtë vepër janë të akuzuar ose të dënuar 23 shtetas të Maqedonisë – 16 të janë arrestuar në vitin 2015 dhe 2016 në aksionet policore “Qelia 1 dhe 2” dhe 7 luftëtarë të robëruar të cilët janë riatdhesuar në gusht të vitit të kaluar. Njëri nga të riatdhesuar për shkak të veprës “Pjesëmarrje në luftë të huaj, polici, formacione paramilitare dhe ushtarake” është i akuzuar edhe për veprën penale “Organizim terrorist”.
Shtuar më 21/03/2019, ora 15:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori