Dëgjoni ç’po thotë Biljana (Sekullovska)
Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi - Кur një zonjë e re, maqedone dhe gazetare e njohur, i thërret vetëdijes dhe thotë se duhet të turpërohemi për mendjetrashësinë dhe përkufizimet që ia kemi bërë vehtes, unë pres që të turpërohet edhe dikush, dikush nga pala jonë. Pika pika bëhet pusi, turp pas turpi vie vetëdijësimi.

Dikur (në kohët e televizionit A1), kështu e përshkruaja Biljana Sekullovskën: Ajo që ju futet në fytyrë bashkëbiseduesve dhe lëvizë me duartë e me lapsin që e mban përherë. Nje herë, aq shumë iu afrua mysafirit të vetë sa që mendoja se do e godasë. Ashtu e shihja Biljanën.
Gel zaman, git zaman, e kuptova se ajo zonjë është në të vërtetë një gazetare shumë e mirë, ani pse jo përherë pajtohesha me qëndrimet e saja. Fakti që bënte me duartë e me lapsin sikur do e godasë dikë, me kohë filloi të më duket simpatik. Nuk e di a sillet akoma ashtu sepse shumë rrallë më jepet rasti t’a shoh. Por, lexova këtyre ditëve diçka nga ajo, që më bëri përshtypje të veçantë. Ecce homo, Ja njeriu, thashë në vehte. Dhe, më erdhi mirë që pikërisht Biljana Sekullovska ishte ai njeri.

Në fakt, çka tha Biljana? Ajo nuk tha asgjë që do ishte e veçantë në një shoqëri normale, por ja që fjalët e saja bënë bujë në portalet dhe rrjetet sociale shqiptare, ajo u bë hit me njerëzillëkun e sajë po të njejtën ditë kur në Butel rritej tensioni për shkak të kryqit. Ajo dëshmoi se ne nuk jetojmë në shoqëri normale.

Biljana tha: "Isha në manifestimin “Milingona e Arte” dhe u turpërova që nuk po njihja asnjërin nga ata artistë të mrekullueshëm, sikur të mos ishin njerëz të mij, sikur të mos ishin pjesë e kulturës të vendit tim, sikur të mos ishin pjesë e identitetit tim të vërtetë. Asnjëherë nuk do jemi njerëz më të mirë pa ata, pa gjuhën, kulturën dhe fisnikërinë me të cilën ata po n’a i dhurojnë të gjitha këto..."

Аferim, zonja a zonjusha Biljana, ashtu sikur ti flet njeriu i vërtetë. Në një portal shqip të lexuan gadi tridhjetëmij njerëz, ishe edhe në portalet tjera, ishe gjithëkund. Ishe gjithëkund sepse me fjalët e tua e tregove të vërtetën për Maqedoninë, për këtë vend të mrekullueshëm që do duhej të bëhet tamam si e meriton, por ja që vazhdimisht po zhbëhet. Po zhbëhet, mes tjerash, për shkak të mungesës së turpit dhe perdes që nuk po i njohim artistët e njeri tjetrit dhe po i ndajmë në “tanët” dhe “ të atyre”, për shkak se as shekujt e bashkëjetesës nuk ndikuan që ne muslimanët të njohim krishterizmin e as ju të krishterët të njihni Islamin.

Mjerisht, Biljanë, turpi ynë do duhej të thellohet edhe më shumë, të prekë në labirinthet e nëndijes tonë dhe të kërkojë përgjegje – si ndodhi dhe kur ndodhi që të gjithë ne I hallakatëm konceptet e dashurisë për njeriun me konceptin e urrejtjes, pse po i urrejmë ata që do duhej t’I duam? Në këtë situatë të përgjithshme në të cilën, siç po thua, po jetojmë ndaras por po vdesim bashkërisht, do duhej të përkujtohemi se kur Zoti urdhëron – “Duaje të afërmin tënd”, Ai porosit që të duan e të respektojnë njëri tjetrin të gjithë njerëzit, jo vetëm maqedoni maqedonin dhe shqiptari shqiptarin

Sidoqoftë, kur një zonjë e re, maqedonase dhe gazetare e njohur, i thëret vetëdijes dhe thotë se duhet të turpërohemi për mendjetrashësinë dhe përkufizimet që ia kemi bërë vehtes, unë pres që të turpërohet edhe dikush, dikush nga pala jonë. Pika pika bëhet pusi, turp pas turpi vie vetëdijësimi.

Se diçka është e kalbur në shtetin Maqedoni, e kemi të njohur shumë moti, por ja që Biljana dëshmoi se ndoshta diçka ka filluar të ndryshojë. Ndoshta diçka po ndodhë prapa barikadave dhe brënda istikameve që aq gjatë i kemi gropuar?

Një herë pata shkruajtur se urrejtja jonë ndaj maqedonasve nuk do te bëje që ne të ndihemi shqiptarë më të mirë, siç nuk do prodhojë maqedonas më të mirë urrejtja ndaj shqiptarëve. Biljana bëri një hap më tej, pikërisht siç ju ka hije të rinjëve dhe guximtarëve. Po, guxim është ajo që e tha gazetarja Sekullovska në këtë ambient të çmendurisë së përgjithshme që po kërcënohet të na zhbën të gjithëve.
Ani pse s’kuptoj fortë nga muzika, dua të dëgjoj bek vokalet, ata që ia mbajnë ison këngëtarit. Me ata, edhe këngëtari, edhe kënga tingëllojnë më bukur. Aq, kuptoj nga muzika. /albeu.com/
Shtuar më 08/03/2016, ora 10:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori