Debate të ashpra në Kuvend për Universitetin e ri "Nënë Tereza"
Universiteti "Nënë Tereza" mori sot dritë jeshile nga komisioni për arsim, shkencë dhe kulturë dhe do të shkojë në procedurë të mëtejme parlamentare.

Deputetët e PDSH-së u shprehën se do e mbështesin themelimin e universitetit, por përmes amendamentit kërkuan që të definohet saktë dhe qartë se në cilën gjuhë do të zhvillohet procesi arsimor, në gjuhën shqipe siç thotë ministri Abdilaqim Ademi apo në tre gjuhë siç deklaroi kohë më parë kryeministri Nikolla Gruevski.

"Grupi parlamentar i PDSH-së ka propozuar amendament që të ndërhyhet në ligjin për themelimin e Universitetit në Shkup, Nënë Tereza, për të vetmen arsye për ta precizuar përdorimin e gjuhës në atë universitet", u shpreh Orhan Ibrahimi.

"Veprimtaria do të zhvillohet në gjuhën shqipe por për lëndët mësimore të caktuara nëse mësimi zhvillohet në gjuhën tjetër përveç maqedonishtes duhet të jetë edhe lënda e maqedonishtes por duhet të ketë minimum edhe dy lëndë mësimore profesionale në gjuhën maqedonase. Gjithashtu është paraparë dhe obliguar për çdo institucion të arsimit të lartë në Maqedoni dy programe studimore të jenë në gjuhën angleze", deklaroi ministri Ademi.

"Do ta mbështesim themelimin e universitetit sepse do të vij dita që PDSH-ja këtë universitet do ta shndërroj në vatër të dijë, shkencës dhe ku vetëm gjuha shqipe do të jetë në përdorim", shtoi Ibrahimi.

"Sot kërkojmë që të kemi shkencë, pasi jemi në shekullin 21. Sot kërkojmë universitet me cilësi të lartë", tha deputeti i BDI-se, Ejup Rustemi.

"Ju që keni bastardu themelin ku ndërtohet palca kombit dhe vetëdija ku krijohet, të flitni me këtë zhargon se ju jeni për proces mësimor të avancum, dhe ju themeloni Universitet dhe dije?", u shpreh Orhan Ibrahimi.

"Orhan subjekti jot politik të ka vënduar në siklet, nuk mund të mbulohet kjo. Një fjalë popullore thotë dielli nuk mbulohet me shoshë", tha Rafiz Aliti nga BDI.

"Është hipokrizi dhe nuk mund ta doroj, por ky nuk e ka vendin në parlament... e ka vendin nëpër burgje", vijoi deputeti i PDSH-se.

Ndërkohë deputetja e pavarur, Sollza Gërçeva, kundërshtoi mënyrë e miratimit të ligjit me procedurë të shkurtuar, ajo madje tha kjo është marketing parazgjedhor.

"Projekt që bie nga qielli, i përgatitur në mënyrë të shpejtë, i cili e dëmton Universitetin Shtetëror në Tetovë", u shpreh ajo.

"Shumë e brengosur deputetja se dëmtohet universiteti i Tetovës, unë mendoj që janë këto lot krokodili të derdhura për këtë universitet. Nuk dëmtohet USHT-ja", tha ministri Abdilaqim Ademi. /albeu.com/
Shtuar më 24/12/2015, ora 16:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori