Berisha ngre dyshime për “zhdukjen” e Bllakos: E kthyen me helikopter nga Greqia, njeriu i fundit që takoi ishte Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste për televizionin A2 CNN, pohoi se sipas të dhënave që ai disponon, por që thekson se nuk janë të konfirmuara, ka dyshime se ditën kur u dha urdhër arresti për Alqi Bllakon, ky i fundit ishte larguar në Greqi dhe më pas u soll me helikopter.

Edhe pse kjo nuk konfirmohet, shprehet Berisha, e vërteta është se Policia gënjeu kur tha se Bllako ka qenë në komisariat.

Sipas të dhënave që Berisha i disponon, Bllako ka kaluar në Qafë Botë me një person i quajtur Ergys dhe që është njeriu i afërt i Edi Ramës.

Ndërsa vetë kryeministri Rama, thekson Berisha, është personi i fundit që Bllako ka takuar në vilën 31.

Sali Berisha deklaroi se, nëse Bllako nuk do të ishte gjendur, atëherë të nesërmen në vend do të shpërthenin protestat.

“Në këtë moment ne jemi në një proces të zgjedhjeve partiake dhe nuk mendojmë se duhet të ndërpritet ky proces. Kjo do të thotë se rasti i emergjencës nuk mund të përjashtohet. Psh nuk mund ta fsheh se atë natë që u tha se u arratis Alqi Bllako me erdhën shumë kërkesa që të mbushnim sheshet të nesërmen.

Ne po e ndiqnim situatën. Dikush thotë se e kthyen me helikopter nga Greqia, nuk e di por mbeti e vërtetë kjo. Thonë që ai kaloi në Qafë Botë me një Ergys, njeri i afërt i Edi Ramës dhe thuhet se njeriu i fundit që ka takuar në vilën 30 apo 31 ka qenë vetë Edi Rama, çka këtë unë nuk e di se duhet të kem fakte.

Por një gjë është e sigurt se Policia e Shtetit mashtroi opinionin publik duke deklaruar se Alqi Bllako mbrëmë ka qenë në Polici, në një kohë kur ai ishte kthyer, ishte vetëdorëzuar në polici në orën 2 e 10 minuta sipas burimeve dhe prokuroria për këtë reagoi zyrtarisht.  Nëse ai nuk do gjendje do shpërthenin protestat. Shkuan e gjendet, dikush thotë në Greqi”, u shpreh ish-kryeministri për A2CNN.


Shtuar 5.04.2022 22:33