Dalin pamjet: Si hyri xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës (VIDEO)
Një rrugë që e bën shpesh, Musli Berisha po e bënte edhe para pak ditësh kur pa policinë e Serbisë brenda territorit të Kosovës, në fshatit Sfircë të Kamenicës.

Derisa po dilte nga shtëpia e tij që gjendet pranë brezit kufitar me shtetin serb, ai thotë se e pa automjetin me targa serbe brenda të cilit, sipas tij, ishin katër policë, raporton KTV.

Berisha thotë se policët serbë janë larguar nga territori shqiptar përmes kësaj rruge, e cila gjendet afër policisë kufitare të Kosovës.

Ai e vlerëson shqetësues faktin që policia serbe lejohet të patrullojë me lehtësi brenda territorit të Kosovës.

Përgjegjës për ruajtjen e brezit kufitar është KFOR-i.

Pjesëtarë të këtij misioni i shkuan të shtunën Berishës në shtëpi për të marrë informacione rreth këtij rasti.

Kohavisioni ka pyetur Policinë e Kamenicës dhe policinë kufitare në këtë komunë, por kanë thënë se nuk kanë informacione për këtë rast. Ndërsa, me KFOR-in ka qenë i pamundshëm kontakti të shtunën.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se për provokimet e Serbisë në Sfircë dhe Karaqevë do t’u drejtohet institucioneve qendrore për të kërkuar nga ndërkombëtarët që t’i ndalin ato.

Në anën tjetër, Musli Berisha, thotë se policët nuk janë të vetmit që nga Serbia kanë hyrë ilegalisht në fshatin e tij ku jetojnë vetëm dy familje.

Këtë, sipas tij, e ka bërë edhe ushtria serbe dy vjet më parë.

Berisha kërkon që shteti i Kosovës t’u krijojë banorëve të fshatit të paktën siguri.
Shtuar më 08/06/2019, ora 20:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori