Provinca në Kinë ndryshon ligjin: Jeni të lirë, bëni sa fëmijë të doni

Kina njihet për ligjet strikte, që kufizojnë çiftet të bëjnë shumë fëmijë për shka të mbipopullsisë. Sakaq prej dy vitesh të dhënat kanë ndryshuar në Kinë.

Çiftet e martuara kineze mund të lindin deri në tre fëmijë, pas ndryshimit të kufizimit të njohur, teksa të dhënat e fundit kanë treguar një rënie dramatike të lindjeve në vendin më të populluar në botë.

Kostoja e rritjes së një fëmije në pjesën urbane të Kinës i ka frenuar shumë persona që duan të bëhen prindër, ndërsa shkalla e lindjes në Kinë ka rënë në vetëm 1.3 fëmijë për grua, pavarësisht se Pekini më 2016 e shfuqizoi politikën që ndalonte më shumë se një fëmijë.

Por nuk mjafton me kaq, në provincën jugperëndimore të Kinës, Sichuan, do të hiqen kufizimet për personat që nuk janë të martuar dhe duan të sjellin në jetë fëmijë.

Ky ndryshim vjen në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë për të rritur shkallën e lindjeve në vend pasi popullsia e Kinës u tkurr vitin e kaluar për herë të parë në më shumë se gjashtë dekada.

Aktualisht, qeveria e Sichuan lejon vetëm çiftet e martuara që të sjellin në jetë deri në dy fëmijë. Por tashmë, duke filluar nga 15 shkurti, të gjithë qytetarët, përfshirë edhe prindërit e pamartuar mund të regjistrojnë sa fëmijë të duan./albeu.com/


Shtuar 31.01.2023 16:20