KURSI/ Euro nuk ia del, vijon drama me paundin, dollari më keq akoma

Pritej qe euro ta rimerrte disi veten pas festave të fundvitit në raport me lekun, por pas një performance të mirë në ditët e para të 2023, “vrapi” i monedhës europiane është ndalur.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer me 117.25 lekë sot duke humbur pikë krahasuar me të hënën si edhe fundin e javës së shkuar ku u ngjit deri në 117.42 lekë.

Në tërësi ky është një përmirësim i kursit të euros në raport me lekun krahasuar me fundin e vitit 2022 kur zbriti deri në 114 lekë, shkruan Albeu.com.

Në një situatë të ngjashme janë edhe dollari me paundin në raport me lekun. Pavarësisht përmirësimit të pjesshëm gjatë ditëve të fundit, ato mbeten në tregues dezavantazhues ndaj lekut.

Një dollar amerikan u këmbye sot 109.23 lekë krahasuar me gati 112 lekë që ishte në fund të javës së shkuar.

Ndërkohë paundi britanik vijon rekuperimin në raport me lekun që prej 28 dhjetorit 2022, megjithatë gjendet ende shumë pikë poshtë treguesve të fillimit të dhjetorit të vitit të shkuar.

Sot një paund këmbëhet me 132.95 lekë. /albeu.com