Ç'faj kam unë për sulmet në Paris?
Burhan Seferi

Sulmet ndaj Charlie Hebdo tronditën botën. Dymbëdhjetë persona u vranë, të cilët ishin cekur me emra para se të vriteshin një nga një. Sulmin e kritikuan e gjithë bota, presidentë, kryeministra, klerikë fetarë dhe qytetarë të ndryshëm.

I mençur është ai që përfiton nga ngjarja, që mos të ndodhë më kurrë. Edhe pse vrasësit ende janë si të dyshuar, rrjetet sociale dhe propaganda mediatike tregoi joprofesionalizmin e saj kur është në pyetje Islami dhe myslimanët. Shumë gazeta, televizione dhe portale vrapuan që një vrasje ende pa u arrestuar dhe pa dalë para gjykatës, e gjykuan si terrorizëm Islamik, duke mos e respektuar rregullin se "njeriu është i pafajshëm derisa gjykata ta vërteton të kundërtën".

Në të gjitha anët eksplodoi urrejtja ndaj myslimanëve, thuajse për një vrasje të disa individëve, të gjithë myslimanët janë fajtorë. Por le të përfitojmë nga ngjarja, me qëllim që të mësojmë se si ta shikojmë dhe vlerësojmë një ngjarje, pa nxituar në gjykime që ndoshta një ditë vetja do na duket qesharak.

1. Përgjithësimi i rastit. Pse çdoherë që një mysliman kryen ndonjë vrasje, fajin duhet ta marrin të gjithë myslimanët, të cilët vrapojnë të distancohen, ndërkohë që vrasjet e feve tjera mbesin individuale dhe askush nuk distancohet?

Rastet e fundit, ku në Suedi dhe Francë janë djegur disa xhami, asnjë nga myslimanët nuk e ka përgjithësuar duke ia hedhur fajin një feje apo kombi. Vrasjet, krimet dhe dhunimet, por edhe gjithçka që kryhet nga një individ, asnjëherë nuk duhet të përgjithësohen duke e akuzuar një popull të plotë.

Gjatë djegies së xhamive, myslimanët u treguan të butë, vazhduan që t'i riparojnë xhamitë e tyre, kjo ishte arsyeja që një suedez, mu gjatë sulmeve pranoi Islamin.

Nëse ne vazhdojmë t'i përgjithësojmë vrasjet individuale duke fajësuar një shtet, fe apo komb, të nderuar, na tregoni cila fe, shtet apo komb do të mbetet pa faj? Po vetëm në Algjeri, mbi 900.000 algjerian janë vrarë nga kolonia franceze, a duhet që ta fajësojmë çdo qytetarë të Francës për krimet e tilla? Pse çdoherë duhet të shfrytëzohen vrasje të tilla për tu shprehur mllefi ndaj njëri tjetrit?

Përgjithësimi i veprave individuale çon drejt konflikteve të civilizimeve, konflikte fetare dhe kombëtare, sepse nuk do të mbet një shtet që nuk e ka ndonjë vrasës të tillë, si vrasësi në Paris.

Gjatë ditës së vrasjes, hashtagi më i popullarizuar në Twitter, ishte #KillAllMuslims, duke treguar urrejtje ekstreme ndaj gjithë myslimanëve. A duhet që myslimanët ta bëjnë hashtagin #KillAllJews vetëm pse ushtria izraelite vranë palestinezët dhe burgos fëmijët? Por kjo nuk është normale, fundja nuk është as prej burrërisë.

2. Liria e të shprehurit. Thuajse çdo gazetarë dhe analist, çdoherë e shpreh fjalinë se "liria e të shprehurit shkon deri kur të cenohet nderi i tjetrit". Ky rregull, edhe pse theksohet nga çdo person, asnjëherë nuk respektohet, fundja, asnjëherë nuk është definuar se kush është personi që nuk duhet t'i cenohet nderi?

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, që moti ka bërë thirrje që të mbahet një konferencë dhe të vendosen ligje ndërkombëtare për mbrojtjen e karaktereve që fetë i konsideron si të shenjta. Kjo thirrje ka hasur në veshin e shurdhër, duke e konsideruar thirrjen si jo serioze, por tani, pasi që i shohim pasojat, e kemi të qartë se ajo ka qenë thirrje serioze, që njëherë e përgjithmonë në botë të vendosen disa ligje që do t'i mbrojnë disa karaktere që fetë i konsiderojnë si të shenjta.

Sulmet në Francë janë pritur që moti, nuk është ditur se kur do të ndodhin, por të gjithë kanë qenë të sigurt se do të ndodhin, sepse kohëve të fundit, myslimanët janë ballafaquar me një islamofobi të paparë si asnjëherë.

3. Profeti Muhammed për myslimanët. Kjo pikë duhet të kihet parasysh, çdoherë nga çdokush dhe kjo lidhet edhe me pikën e dytë, cenimi i nderit të dikujt tjetër.

Myslimanët besojnë se askush nuk mund të jetë mysliman përderisa ta dojë Profetin Muhammed. Në një citat profetik, thuhet: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush derisa të jam unë më i dashur tek ai se fëmija i tij, prindi i tij dhe njerëzit në përgjithësi”.

Nëse e kupton citatin e lartpërmendur, do ta kuptosh se dashuria e myslimanëve ndaj Profetit Muhammed është më e madhe se dashuria ndaj familjeve të tyre, ndërsa prej dashurisë ndaj tij është respektimi dhe zbatimi i urdhrave të tij.

Vrasjet e tilla mund të vazhdojnë nëse vazhdon fyerja dhe tallja me profetion Muhammed, sepse myslimanët nuk e kanë "Papën" e tyre për ta mbrojtur karakterin e shenjtë të myslimanëve, kështu që i marrin në dorë të drejtat për ta mbrojtur individualisht. Duhet të kihet parasysh edhe fakti se institucionet fetare në Evropë dhe botën arabe, shumica janë institucione të korruptuara nga njerëz që u konvenojnë shteteve dhe mbretërve, të cilët flasin kur urdhëron shteti dhe heshtin kur ju thotë shteti. Nga pakënaqësia ndaj institucioneve fetare dhe mosbesimit që e kanë myslimanët ndaj tyre, vije deri te moskontrollimi i ndjenjave dhe emocioneve, duke kryer vepra në krye vete, siç ndodhi në Paris.

Është e vërtetë se bota sot ballafaqohet me një luftë mes civilizimeve, është e vërtetë se zjarrin e ndezin fuqitë botërore, të cilët notojnë mbi gjakun e qytetarëve të shteteve, është e vërtetë se urrejtja mes feve çdo ditë e më shumë po shtohet, por çdo qytetarë qoftë mysliman, i krishterë dhe çifut, duhet të ndihmojë në mirëkuptim mes vete, duke i respektuar parimet e njëri tjetrit dhe duke mos u bërë kukull e shteteve të cilat rritin autoritetin e tyre falë veprave të tilla.

Franca duhet ta merr për shembull Shqipërinë, në një vend ku jetojnë të gjitha fetë, që respektojnë parimet e njëri tjetrit dhe asnjëherë në pluralizëm por edhe në komunizëm nuk është kryer ndonjë vrasje e tillë. Nëse ne si shqiptarë, prej Francës duhet ta marrim modelin ekonomik, ata duhet ta marrin nga ne modelin e bashkëjetesës, sepse liri do të thotë të respektohet besimi i tjetrit, pa dhunë ndaj asaj që e beson dhe e praktikon.

Le të përfitohet nga rastet e tilla, me qëllim që njëherë e përgjithmonë të mbushemi mend./albeu.com/
Shtuar më 09/01/2015, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori