Çështja e emrit, Nimic: Jam i inkurajuar nga gatishmëria e Maqedonisë (VIDEO)
"Jam i inkurajuar nga zhvillimet pozitive e reja mes Maqedonisë dhe Greqisë, edhe pse nuk kam ardhur me ndonjë propozim konkret për çështjen e emrit", u shpreh përfaqësuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic i cili është për vizitë zyrtare në Shkup.

Ai tha se takimet me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov kanë qenë të mira dhe është i inkurajuar nga ajo që ka dëgjuar nga kryeministri dhe ministri i jashtëm i Maqedonisë.

"Janë mendje-hapur dhe të hapur për menduar rreth kësaj çështje".

Sipas tij, në këtë periudhë nuk pritet ndonjë ndryshim dramatik rreth çështjes së emrit por që palët duhet të intensifikojnë bisedimet. Ai paralajmëroi vizitën e kryeministrit grek Nikos Kotzijas në Shkup.

Më poshtë lexoni të gjithë deklaratën.

"Më vjen mire që u ktheva sërish në Shkup, ka disa vite që jam ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara për të ashtuquajturën çështje e emrit. Ka tre vite që kam qenë për herë të fundit në Maqedoni, ndërsa vitin e fundit nuk ishte aspak lehtë të fokusohemi në këtë çështje.

Tani jam shumë i inkurajuar që kjo çështje sërish gjendet në fokus pasi që është çështje shumë me rëndësi, si regjionale ashtu edhe për Kombet e Bashkuara dhe vet vendin tuaj. Kisha takime të mira me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm dhe jam i inkurajuar nga fakti që ekziston një interes serioz dhe gatishmëri për të menduar rreth kësaj çështje.

Me vjen mirë të them gjithashtu se kam folur edhe me palën tjetër, pra me Athinën dhe sot do të shkoja atje por pasi që ministri i jashtëm i tyre është i zënë me çështjen e Qipros, do ta mbajmë një herë tjetër takimin tonë. Por do të shkoj gjithsesi".

A prisni zgjidhje nga ana e grekëve?

"Për ta zgjidhur këtë problem duhet të kemi përparim në përgjithësi, që domethënë se të dyja palët duhet të mendojnë shumë seriozisht në lidhje me pozitat e tyre dhe gjithashtu të dëgjojnë me shumë vëmendje palën tjetër.

Jam i inkurajuar nga ajo që dëgjova nga kryeministri dhe ministri i jashtëm që janë mendje-hapur dhe të hapur për menduar rreth kësaj çështje. Kisha takime me kryeministrin grek Kotzijas i cili është serioz dhe tani në këtë situatë të re do të shohim si do të zhvillohen gjërat".

A kishte ide të reja nga Maqedonia për zgjidhjen e çështjes?

"Nuk kemi folur për koncept të ri konkret. Nuk kam ardhur me propozim të ri ndërsa dhe Qeveria nuk dha ndonjë pikëpamje ndryshe të re. Folëm për përparim, për fuqizim të marrëdhënieve mes dy palëve si dhe për pozitën e përgjithshme të Qeverisë në Maqedoni për të qenë e hapur ndaj fqinjëve dhe për ti zgjidhur problemet në regjion.

Është me rendësi që edhe kryeministri grek planifikon të vizitojë Maqedoninë dhe duhet të gjejmë mënyrë për ta intensifikuar procesin megjithatë mos pritni që brenda këtyre muajve të ndodhin ndryshime dramatike dhe mendoj që tani nuk është koha për të bërë propozime definitive dhe konkrete.

Tani kemi nevojë për një periudhë ku të dyja palët do të flasin mes vete. Gjërat do të zhvillohen por nuk do të ketë ndonjë ndryshim dramatik brenda këtyre muajve"

Ai tha që të dyja palët duhet të respektojnë marrëveshjen e nënshkruar "interim" në vitin 1995 mes Greqisë dhe Maqedonisë.


Përfaqësuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, u takua me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e MPJ-së, Nikolla Dimitrov, ku kanë biseduar për mundësitë e zgjidhjes së kontestit të emrit.


Nimic, pritet që të takohet edhe me Nikolla Gruevskin e VMRO-DPMNE-së, megjithatë, tani për tani nuk ka asgjë zyrtare.

Nimic dhe Ivanov dje takimin e parë, Nimic, e zhvilloi me presidentin Gjorgje Ivanov, takim në të cilin mori pjesë edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Qëllimi i kësaj vizite, siç është paralajmëruar edhe më herët, është që të rifillojnë përpjekjet dhe negociatat rreth mundësive për zgjidhjen e çështjes së emrit.

"Presidenti i Maqedonisë ka porositur që Republika e Maqedonisë edhe më tej do të merr pjesë në procesin që udhëhiqet nga OKB dhe ka theksuar se është e nevojshme të krijohet ambient pozitiv me qëllim të kuptimit dhe respektit më të mirë.

Pala maqedonase me vite në mënyrë të vazhdueshme jep kontribut në drejtim të ndërtimit të besimit mes dy vendeve dhe dy shoqërive, është e domosdoshme të jepet impuls plotësues nga të dyja palët në tejkalimin e kësaj çështje", thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 12:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori