Çavkov nuk pret shkarkimin, del para kohe në pension
Pëlqej
Drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP) Mitko Çavkov nuk ka pritur vendimin për shkarkimin e tij që ishte në procedurë qeveritare, por ka vendosur që vetë të largohet nga Drejtoria.

Çavkov ka marrë pushim vjetor, ndërkohë që ka kërkuar të ndërpritet kontrata e tij të punës, e cila përfundonte nga fundi i korrikut me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Ai përveç që ka ndërprerë marrëdhënien e punës mësohet se ka mbledhur të gjitha gjërat personale nga zyra e tij.

Çavkov përveç që ishte drejtor i Byrosë për Siguri Publike, në natën e 27 prillit kur në mënyrë brutale u rrahën deputetët e shumicës së re parlamentare ishte shef i shtabit operativ.

Të enjten e përgjakshme policia shikonte “sehir” teka huliganët rrihnin deputetët, pasi Çavkov nuk iu kishte dhënë atyre urdhrin për të mbrojtur të zgjedhurit e popullit.

Mësohet se marrëdhënien e tij të punës e ka ndërprerë edhe kryeshefi i krimit të organizuar në Byronë për Siguri Publike, i cili gjithashtu ka përdorur metodën e njëjtë të pensionimit të parakohshëm sikurse Çavkov.

Emri i Zoran Gligorovit është përmendur gjithashtu për rolin dhe përgjegjësinë e tij lidhur me ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. /alsat/
Shtuar më 19/05/2017, ora 19:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori