Bie zjarri në burgun kolumbian, humbin jetën 51 persona

Të paktën 51 të burgosur vdiqën pas një zjarri që shpërtheu gjatë një revolte në burgun kolumbian në Tulua, tha të martën kreu i agjencisë kombëtare të burgjeve.

Ky cilësohet si një nga incidentet më të rënda të dhunës në burgje.

“Është një ngjarje tragjike dhe katastrofike,” tha gjenerali Tito Castellanos, drejtor i agjencisë së burgjeve INPEC, për Caracol Radio lokale herët të martën.

“Të burgosurit ndezën disa dyshekë dhe ra zjarr.”

Castellanos më vonë konfirmoi se 51 persona kishin vdekur, 49 prej tyre në burg dhe 2 të tjerë në spital.

“Për fat të keq shumica e të burgosurve vdiqën për shkak të thithjes së tymit,” i tha ai Caracol.

Njëzet e katër persona po trajtohen në spital dhe zjarri u shua nga zjarrfikësit lokalë, shtoi Castellanos.

Burgu ka gjithsej 1267 të burgosur dhe blloku i qelive ku ka rënë zjarri strehon 180 persona.

Në Kolumbi, si në shumë vende të Amerikës Latine, burgjet janë shumë të mbipopulluara.

Burgjet e Kolumbisë kanë një kapacitet për 81,000 të burgosur, por aktualisht strehojnë rreth 97,000, sipas shifrave zyrtare.

“Kam dhënë udhëzime për të çuar përpara hetimet që na lejojnë të sqarojmë këtë situatë të tmerrshme,” tha në Tëitter presidenti Ivan Duque, i cili ndodhet për një vizitë në Portugali.


Shtuar 28.06.2022 21:19