EMRAT/ Tjetërsuan lulishten dhe ndërtuan në të, pas zyrtarëve të bashkisë arrestohen edhe biznesmenët në Sarandë

Disa zyrtarë të Bashkisë së Sarandës ranë sot në prangat e policisë, pasi akuzohen për ndërtim në ambiente publike.

Policia u ka vënë prangat sot drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Pandi Zhonga, së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj si dhe Aleko Anagnostin, noter.

Ata akuzohen se kanë tjetërsuar një pronë prej 10 mijë metra katrorë duke ua dhënë personave të ndryshëm që më pas kanë ndërtuar.

Gjithashtu sipas burimeve, bëhet e ditur se në pranga kanë rënë edhe personat që kanë përfituar nga ky tjetërsim pronash. Bëhet fjalë për Fredi Mërkurin, Valter Llomin dhe Argonida Canaj. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh, me të cilat kanë përfituar edhe tokën. Mësohet se toka për të cilën bëhet fjalë ndodhet në zonën e kanalit të Cukës në Ksamil.

Ndalimi i tre zyrtarëve publikë është kryer nga prokuroria e Sarandës.