Brukseli edhe një "JO" për Maqedoninë
Pëlqej
Analistët dhe ekspertët e së drejtës evropiane shprehen me tone pesimiste në prag të publikimit raportit të Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë në përmbushjen e reformave për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Sipas tyre edhe kësaj radhe Maqedonia do të marrë një goditje të rëndë nga Brukseli për mos përmbushjen e kritereve të parapara për anëtarësim në BE. Ekspertët numërojnë një varg arsyesh që do të ndikojnë që raporti i KE-së të jetë negativë.

Analisti politik, Albert Musliu thotë se, ka shumë sfera në të cilat realisht nuk është shënuar ndonjë përparim, ndërsa përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kanë alarmuar vazhdimisht.

Realisht, nuk janë realizuar reforma të mëdha në sferën e gjyqësisë, në sferën e profesionalizimit të administratës publike, në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pastaj janë përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike. Do të thotë ka shumë tema që ne realisht nuk i kemi kryer detyrat”, shprehet Musliu.

Edhe eksperti i së drejtës evropiane, Mr.Muhamer Pajaziti vlerëson se raporti i KE-së për progresin e Maqedonisë do të jetë negativë për faktin se vendi nuk i ka përmbushur kriteret dhe detyrat e përcaktuara, të domosdoshme për anëtarësim në BE.
“KE po shqyrton si pika të zeza: dialogun politik, reformat në gjyqësi që kanë qenë temë e bisedimeve në qarqet e vendeve evropiane, depolitizimi i administratës publike, Implementimi në tërësi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si dhe çështja rreth emrit më Greqinë. Pa realizimin e këtyre çështjeve nuk mund të presim ndonjë lajm të mirë nga Brukseli zyrtarë", shprehet Pajaziti.

Sipas tij, Maqedonia duhet të punojë më shumë në implementimin dhe zbatimin efikas të legjislaturës evropiane ‘Acquis Comunitare’.

“Shumë ligje të cilat janë harmonizuar me ligjet e BE-së nuk gjejnë fare implementim në praktik. Infrastruktura ligjorë kërkon një vullnet politik por edhe mekanizma adekuat për implementimin e saj”, thekson Pajaziti.

Ai vlerëson si retorikë boshe deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë së Maqedonisë se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara por se pengesa e vetme mbetet kontesti për emrin.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere deklaroi se në raportin vijues për rezultatet e arritura të Maqedonisë nga Komisioni Evropian do të theksohen sferat ku është arritur përparim, por do të ketë edhe sfera në të cilat do të theksohen dobësitë.

"Nuk mund të parashikoj se çka do të përmbajë raporti, por mendoj se do të theksohet përparim në disa sfera dhe mendim pozitiv për atë që është arritur. Do të theksohen edhe dobësitë në disa fusha në të cilat Qeveria duhet të fokusohet për shkak se ende nevojiten reforma dhe ka shumë punë që duhet të bëhet për prosperitet të qytetarëve", deklaroi Fuere.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Vaj Rompuj porositi ditë më parë në Shkup se zgjidhja e emrit mbetet problem kryesor për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Union.
Maqedonia mori nga kreu i BE-së Rompuj, edhe detyrat kryesore për të përmbushur; sundimin e së drejtës, reforma dhe pavarësi në gjyqësor, profesionalizimi i administratës shtetërore dhe respektimi i lirisë së mediave. (ina)
Shtuar më 01/11/2010, ora 11:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori