"Brenda javës ka arritur në katër numri i foshnjave të vdekura, kërkojmë llogari nga ministria"
VMRO – DPMNE ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtoreshën e Klinikës Gjinekologjike në Shkup për bilancin e vdekjeve të foshnjave në këtë klinikë, që sipas VMRO-së ka arritur në katër.

Marija Andonova nga VMRO thotë se rasti i katërt i vdekjes së foshnjës po heshtet qëllimisht.

“Shëndetësia është në kaos, por askush nuk thirret në përgjegjësi e askush nuk ka moral të japë dorëheqje për këtë gjendje”,- tha Andonovska, duke akuzuar drejtoreshën e re të klinikës, se në post është emëruar vetëm për faktin se është e afërt me bashkëshorten e kryeministrit.

Ndaj akuzave është përgjigjur drejtoresha e klinikës së gjinekologjisë, Viktoria Jovanovska, që thotë se është emëruar si rezultat i përvojës 20 vjeçare si specialiste gjinekologe obstetere. Ajo akuzon pikërisht VMRO-në për gjendjen katastrofale në spitalin që drejton prej dy javësh.


“Ka deficit të mjekëve pediatër që kujdestarojnë çdo të dytën natë, laboratorët janë jashtë të çdo standardi, janë larguar tre specialistë anesteziologë e pesë specialistë gjinekologë.  Në afat prej dy javësh është e pamundur të korrigjohen të gjitha mangësitë për të cilat VMRO-DPMNE-ja ka pasur rast të kujdeset për 11 vite të plota”- thotë Jovanovska.

Ndërkohë edhe rezultatet shtesë nga nëna e trinjakëve të vdekur treguan se bëhej fjalë për një infeksion të rëndë. /albeu.com/


Shtuar më 25/08/2017, ora 20:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori