"Branitellat", VMRO: Largoni emocionet
Paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së mund të realizohet që këtë javë. Fillimisht do të duhet të mblidhen nënshkrimet për tërheqjen e propozim-ligjit, ndërsa më pas të rikthehet në procedurë të shkurtuar. I tërë ky veprim nuk pritet të marrë më shumë se një ditë.

Kështu thotë për Agjencinë e Lajmeve "Zhurnal", një funksionar i lartë pranë partisë së kryeministrit, i cili sqaron vendimin e sotëm të Komitetit Ekzekutiv për ripropozimin e Ligjit të "branitellave" në procedurë të përshpejtuar.

Ai thotë se nuk pret që të bllokohet sërish ky projektligj, ngaqë shpreson se "partitë politike do të jenë më të arsyeshme dhe do t’i mënjanojnë emocionet".

"E kuptojmë këtë situatë, është ende e freskët, ka ende emocione. Por ky ligj duhet të kalojë, partitë duhet të jenë më racionale", njofton Zhurnal.

I pyetur përse nuk përfillet Raporti i Komisionit Evropian, i cili thotë se duhet të gjendet zgjidhje e dyanshme për viktimat e Luftës së vitit 2001, zyrtari i VMRO-DPMNE-së thotë se kjo pjesë e Raportit nuk duhet keqinterpretuar.

"Është e vërtetë se ekziston një formulim i tillë në Raportin e KE-së, por ai ka të bëjë me një kategori tjetër të qytetarëve. Nuk është e vërtetë se kërkohet zgjidhje edhe për palën tjetër në konflikt", thotë në kushte anonimiteti funksionari i VMRO-DPMNE-së. /albeu.com/
Shtuar më 15/10/2012, ora 09:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori