VMRO: Nuk përulemi para terroristëve të UÇK-së
Update - "Pjesëtarët e VMRO DPMNE-së asnjëherë nuk do të përkulen para terroristëve". Kështu ka deklaruar në parlament deputeti i partisë së Nikolla Gruevskit Vele Georgievski.

"Nuk do të përkulesha para pjesëtarit të rënë të grupit ekstremist dhe terrorist, e cila kishte sulmuar Republikën e Maqedonisë në vitin 2001", tha Vele Georgievski, propozues i ligjit për "branitellat".

Por Georgievski nuk kishte përgjigje në pyetjen e ALSAT M se përse VMRO DPMNE-së i pengojnë dëshmorët e UÇK-së e nuk i pengojnë komandantët e gjallë me të cilët punojnë çdo ditë?

"Mendoj se mjaft ishte, u përgjigja në shumë pyetje", tha Georgievski.

Nga BDI nuk komentojnë deklaratat e këtilla të partnerëve të tyre të koalicionit, duke thënë se deklaratat e fundit që vijnë nga VMRO DPMNE janë si shenjë e nervozizmit që ka kapluar partinë e Gruevskit për kundërshtimet e BDI-së për propozim ligjin e branitellave.

Sipas Vele Georgievskit ligji për branitellat do të kalojë në Parlament dhe se nuk ka dhe nuk mund të ketë marrëveshje për këtë me partnerët e koalicionit. /albeu.com/




14:21 - Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, ka qenë i qartë në kërkesën e tij të kushtëzuar drejtuar deputetëve të VMRO-DPMNE-së në seancën e sotme të Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale.

"BDI nuk mendon të tallet me këtë çështje dhe dua t’ju bind se nuk do të merremi vesh për sa i përket Ligjit për ‘branitella’. Ne do ta pengojmë përmes procedurave kuvendore dhe demokratike këtë ligj. Ligji ose të plotësohet me zgjidhjen për UÇK-në, ose të tërhiqet", ka deklaruar Xhaferi, citon Zhurnal.

Ligji po vijon leximin e parë dhe është në ditën e dytë të debatit. /albeu.com/



13:17 - Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vele Gjeorgjievski, i autorizuar të prezantojë ndryshimet në Ligjin për Forcat e Sigurisë në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale në Kuvend, i ka quajtur sot "terroristë" pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Në një takim me gazetarë në hollin e Kuvendit, Gjeorgjievski ka mbrojtur dhe madje ka ashpërsuar qëndrimet e tij nacionaliste lidhur me të a.q. Ligj për “branitella, duke ritheksuar se "nuk do të lejohet që persona zyrtarë t’u përkulen pjesëtarëve të UÇK-së", raporton Zhurnal.

"Nuk pajtohemi assesi që funksionarët maqedonas të përkulen përpara ushtarëve terroristë të UÇK-së, të cilët në vitin 2001 sulmuan Republikën e Maqedonisë. Ligjin i 'branitellave' nuk është ligj për shqiptarët, por për maqedonasit", ka deklaruar Gjeorgjievski. /albeu.com/


11:18 - Në Komisionin parlamentar për politikë dhe punë sociale vijon edhe sot mbledhja që në rend dite ka Ligjin e "branitellave", i cili të mërkurën për herë të parë u shtrua për debat para deputetëve. Mbledhja e sotme filloi me diskutimin që koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi e kishte nisur dje në pjesën e pasdites dhe që zgjati tre orë, por ai u ndërpre për shkak të përfundimit të seancës.

Ndryshe, edhe sot pritet të zhvillohet debat i ashpër mes deputetëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, të cilët u ndanë në dy blloqe për shkak të ligjit në fjalë. Në ditën e parë të debatit, deputetët e PDSH-së, të mbështetur edhe nga BDI kërkuan që Ligji të tërhiqej, por ata u mbivotuan nga partitë maqedonase gjatë miratimit të rendit të ditës.

Anti-shqiptar, anti-kushtetues dhe anti-human e kanë cilësuar ligjin në fjalë deputetët shqiptarë, ndërsa kolegët e tyre maqedonas mbrojtën ligjin duke akuzuar BDI-në dhe PDSH-në për nacionalizëm dhe deklarata të rrezikshme. /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2012, ora 17:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori