"Branitella", BDI: Tani fillon beteja
Parlamenti maqedonas
Update - "Në këtë moment ka filluar beteja për ndalimin e Ligjit për "branitella"". Kështu kanë deklaruar deputetët e BDI-së që të ndihmuar nga ata të PDSH-së, po kundërshtojnë zgjidhjen ligjore të VMRO-DPMNE-së në debatin që po vijon tutje në Komisionin Parlamentar për Punë dhe Politikë Sociale.

Tensionet kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës debatin, i cili është ndërprerë pas dy orësh vijim.

Deputeti i BDI-së, Hajrullah Misini, ka kërkuar në emër të partisë së tij që të ndryshohet emri i këtij propozim-ligji në mënyrë që do të nënkuptohej zgjidhja edhe për statusin e ish-ushtarëve të UÇK-së.

Misini, deputeti Labënishta nga BDI dhe Sela nga PDSH janë shprehur në sintoni se ligji është nënçmues dhe degradues për shqiptarët, pasi ai i kualifikon pjesëtarët e UÇK-së si "forca paramilitare dhe ekstremiste".

Por nga VMRO-DPMNE, e cila përkrahet nga deputetët e LSDM-së, mes tyre Radmilla Shekerinska, kanë thënë se ligji nuk duhet të jetë fyes për shqiptarët sepse me të rregullohen të drejtat e pjesëtarëve të forcave të sigurisë, struktura e të cilave përbëhet jo vetëm nga maqedonas. /albeu.com/


11:16 - Është votuar me gjithë rezistimin e deputetëve shqiptarë, rendi i ditës së Komisionit Parlamentar për Punë dhe Politikë Sociale me pikën e vetme - Ligji për "branitella".
Tre votat "kundër" të deputetëve të BDI-së dhe të PDSH-së kanë qenë pak kundrejt shtatë votave të deputetëve maqedonas, duke mos arritur të pëngojnë kështu futjen në rend të ditës së Ligjit për "branitella", njofton Zhurnal.

Deputetët Arbën Labënishti, Orhan Ibrahimi dhe Bekim Fazliu kanë kërkuar pezullimin e procedimit të këtij propozim-ligj famëkeq, duke u bërë bashkë pas sa kohësh në qëndrimin e tyre.

Fillimisht ka qenë deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, i cili ka thënë se "ky ligj i keq duhet të tërhiqet ashtu siç kemi kërkuar në koordinimet me kryeparlamentarin Veljanovski, sepse me miratimin e tij do të pasojnë tensione dhe përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike".

Fjalën e tij e ka pasuar deputeti i BDI-së, Arbën Labënishti, i cili duke mbështetur kërkesën e kolegut nga PDSH-ja, ka përsëritur qëndrimin se ligji duhet të tërhiqet nga rendi i ditës dhe se BDI do të votojë kundër.

Ndërkohë, deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, ka pasur vërejtje lidhur me procedimin e ligjit në fjalë, ngaqë sipas tij, nuk është respektuar afati treditor brenda të cilit ligji duhej të dorëzohej për shqyrtim deri tek të gjithë deputetët.

Fazliu ka kërkuar nga kryetarja e Komisionit të zmbraps propozim-ligjin, por kjo e fundit është shpallur e paautorizuar për një gjë të tillë, pas çka deputeti ka kërkuar pauzë 15-minutëshe për të vijuar konsultimet me shërbimet juridike të Parlamentit nëse procedimi i ligjit ka qenë në kundërshtim me Rregulloren për Punë. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2012, ora 15:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori