E FUNDIT/ Super super Kumbulla! Shqiptari realizon supergol me Romën (VIDEO)
Bojkoti i sigurtë, opozita nuk dorëzon kandidaturat
Bojkoti i zgjedhjeve lokale është tashmë i sigurt. Afati për dorëzimin e kandidaturave ka skaduar në mesnatë, ndërsa opozita e bashkuar maqedonase nuk ka dorëzuar asnjë të tillë, duke shkuar një hap përpara drejt bojkotimit të procesit zgjedhor të 24 marsit.

Të paktën kështu thonë informacionet e para pas orës 12, sipas të cilave, pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidaturat e tyre i kanë dorëzuar vetëm VMRO-DPMNE, BDI, PDSH, RDK dhe 29 kandidatë të pavarur.

Megjithatë, disa nga mediat maqedonase kanë raportuar se edhe kryetari i deritanishëm i Karposhit, Stevço Jakimovski, ka dorëzuar kandidaturën e tij përmes partisë serbe të drejtuar nga Dragisha Miletiq, por kjo gjë mbetet të konfirmohet gjatë ditës së sotme, njofton Zhurnal.

Kushti i vënë nga LSDM, për të shtyrë për një muaj zgjedhjet lokale, nuk është pranuar nga VMRO-DPMNE, e cila ka ofruar vetëm prolongimin për disa ditë të afatit për dorëzimin e kandidaturave, por jo edhe zhvendosjen e datës së zgjedhjeve.

Bojkoti i zgjedhjeve lokale pritet të ndërlikojë edhe më krizën politike, që ka përfshirë vendin nga 24 dhjetori i vitit të kaluar, kur Policia dëboi me forcë nga Kuvendi deputetët dhe gazetarët.

Zhvillimi i tillë pritet të reflektojë negativisht në raportin pranveror të Komisionit Evropian, që do t’i paraprijë Takimit të Këshillit të BE-së në qershor të këtij viti. /albeu.com/
Shtuar më 17/02/2013, ora 09:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori