BIRN: Bejta i ka realizuar plotësisht premtimet e tij
Pëlqej
Kryetari i komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, nga radhët e BDI-së, e përfundon mandatin e dytë dhe paralajmëron kandidaturën për të tretin.

Në programin e tij zgjedhor, Bejta fokusohet në urbanizimin e komunës, përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët dhe ndërtimin e kanalizimeve. Përpos kësaj, ka paraparë ndërtimin dhe rikonstruktimin e rrugëve dhe ndërtimin e sallave dhe terreneve sportive.

Kryetari Bejta i paraqiti BIRN-it një raport tejet të detajuar mbi punën e tij në katër vitet e fundit. Pothuajse plotësisht i ka realizuar premtimet e tij, ndërsa ka realizuar edhe projekte që nuk ishin premtuar në programin zgjedhor.

Prej të planifikuarave 9.1 milionë euro për ndërtimin e projekteve kapitale në Komunën e Gostivarit, janë shpenzuar 5.9 milionë ose 71 euro për kokë banori.

Ndryshimi i PGjU për Gostivarin. Prioriteti i parë i kryetarit të komunës së Gostivarit ka qenë ndryshimi i Planit Gjeneral Urbanistik për qytetin e Gostivarit dhe hartimi i planeve urbanistike për të gjitha vendbanimet në komunë. Premtimin e këtillë e ka përmbushur tërësisht. Plani Gjeneral Urbanistik në vitin 2016 u miratua në Këshillin e Komunës, dhe më pas u miratuan planet detaje urbanistike për 17 vendbanime në qytet dhe fshatrat përreth.

Furnizimi me ujë. Sigurimi i furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e komunës së Gostivarit është i dyti projekt prioritar i Bejtës. Në suaza të këtij premtimi, ai për katër vite ka realizuar 20 projekte për ndërtimin dhe rikonstruktimin e sistemeve të ujësjellësit, nga të cilat 16 tashmë kanë përfunduar, tre janë në realizim e sipër, ndërsa edhe për aq projekte pritet të fillojë realizimi i punimeve, ngaqë janë siguruar mjetet financiare.

Prej 20 projekteve, 12 janë realizuar në qytet, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe rikonstruktimin e rrjetit të ujësjellësit, ndërsa projektet tjera kanë të bëjnë me rehabilitimin dhe ndërtimin e ujësjellsave në fshatrat përreth.

Bejta pohon se, përveç projekteve të realizuara dhe atyre që janë në realizim e sipër, pason realizimi i projektit SECO i financuar nga Banka Gjermane dhe nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim, në vlerë prej 442 milionë denarë, në kuadër të të cilit duhet të ndërtohen edhe 14 linja të reja të ujësjellësit, zëvendësimi i gypave në tre linja, ndërtimi i tre rezervoareve të reja të ujit dhe shtatë prokurime të ndryshme për mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellësit.

Kanalizimi. Në lidhje me ndërtimin e kanalizimeve të reja në 13 vendbanime, Bejta pohon se për katër vite ka realizuar gjithsej 25 projekte, prej të cilëve pjesa dërmuese në fshatrat e Gostivarit.

Është ndërtuar kanalizim fekal për fshatrat Banjicë e Poshtme, Raven, Vërtok, Çegran, Debresh, Banjicë dhe Zdunjë, ndërsa projektet tjera janë ndërhyrje për mirëmbajtjen dhe rikonstruktimin e rrjetit të kanalizimit të qytetit.

Rrugët lokale. Përveç ndërtimit të ujësjellsave dhe kanalizimeve, Bejta në programin zgjedhor ka premtuar edhe ndërtimin, zgjerimin dhe rikonstruktimin e rrugëve lokale, prej të cilave më në numër janë rrugët në zonat rurale.

Sipas raportit të detajuar të Komunës, rezulton se për katër vjet, kryetari i komunës ka realizuar mbi 110 projekte të veçanta për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, prej të cilëve gati gjysma janë lidhën me ndërtimin, zgjerimin dhe rikonstruktimin e rrugëve lokale, si dhe betonim e rrugicave rurale dhe trotuareve.

Projektet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore janë realizuar në pothuajse të gjitha fshatrat përreth, siç janë Çegrani, Banjica e Poshtme dhe e Epërme, Debreshi, Mllaka, Turçani I Vogël dhe i Mahd, Simnica, Forina, Balindolli, Llakavica, Reçani, Zdunja, Gjonovica, Padalishti , Tumçevihti, Vërtoku. Gjithashtu janë realizuar edhe projekte për mirëmbajtjen dhe asfaltimin e rrugëve të qytetit.

Terrenet dhe sallat sportive. Ndërtimi i sallave dhe terrene sportive është premtimi i fundit i Bejtës në zgjedhjet lokale. Në program ka paraparë ndërtimin e sallave dhe terreneve sportive në fshatrat Debresh, Vërtok, Balindoll dhe Zdunjë.

Nga Komuna informojnë se janë realizuar mbi 30 projekte për ndërtimin e fushave dhe sallave sportive, siç janë terrenet në fshatin Tumçevishtë dhe Zdunjë.

Terrene sportive kanë fituar edhe fshatrat Turçan i Vogël, Çegran Reçan, ndërsa pjesa më e madhe e projekteve të këtij lloji janë realizuar në lagjet e qytetit.

Shtuar më 20/09/2017, ora 22:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori